Trump kërcënon Kubën me sanksione – Nafta dhe paratë nga Venezuela drejt Havanës rrezikojnë të ndalen plotësisht
Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Kubës të arrijë një marrëveshje, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse kjo nuk ndodh. Ai tha se dërgesat e naftës venezuelase dhe paratë drejt Havanës do të ndalen plotësisht. Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump shkroi se nuk do të ketë më as naftë dhe as para për Kubën dhe këshilloi që marrëveshja të arrihet sa më parë.
Kjo deklaratë vjen një javë pas një operacioni amerikan në Karakas, ku u arrestua lideri i rrëzuar i Venezuelës, Nikolas Maduro. Trump tha se për vite me radhë Kuba ka jetuar nga nafta dhe paratë e Venezuelës, duke ofruar në këmbim shërbime sigurie për udhëheqësit e saj. Sipas tij, kjo marrëdhënie ka marrë fund dhe Venezuela nuk ka më nevojë për mbrojtje.
Më herët, Trump shpërndau edhe një mesazh ku sugjerohej se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mund të bëhej president i Kubës, duke e shoqëruar postimin me komentin “më tingëllon mirë”. Nën embargon amerikane, Kuba prej vitesh është mbështetur te nafta venezuelase, falë një marrëveshjeje të vjetër me Hugo Chavez. Ndërkohë, Trump njoftoi se Venezuela do të eksportojë naftë të papërpunuar drejt SHBA-së me vlerë deri në 2 miliardë dollarë.
Ai theksoi se kjo tregon gatishmërinë e Karakasit për të hapur industrinë e naftës ndaj kompanive amerikane. Në një tjetër postim, Trump publikoi një pamje ku pretendohej se ai ishte president në detyrë i Venezuelës dhe deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të merrnin kontroll të përkohshëm të vendit.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




