Trump kërkon nga Departamenti i Drejtësisë që të akuzojë Schiff dhe James për hetimet ndaj tij

Amerikë | 1 vit më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar publikisht nga Departamenti i Drejtësisë që të ndërmarrë veprime kundër senatorit të Kalifornisë Adam Schiff dhe prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, të dy demokratë.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, drejtuar kryeprokurores së përgjithshme Pam Bondi, Trump shprehu zemërim për mosnisjen e procedimeve penale ndaj Schiff dhe James, të cilët janë akuzuar nga drejtori i Agjencisë Federale të Financimit të Strehimit, Bill Pult, për falsifikim dokumentesh gjatë aplikimeve hipotekore.

“Kjo çështje nuk mund të vonohet më, pasi po na dëmton reputacionin dhe besueshmërinë,” u shpreh Trump.

Të premten, ai shkarkoi prokurorin federal që po drejtonte hetimin ndaj James, pasi zyrtari deklaroi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të dëshmuar se prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut kishte kryer mashtrim.

Schiff dhe James kanë udhëhequr hetime të mëparshme ndaj presidentit republikan, të cilat Trump i ka cilësuar si “gjueti shtrigash”.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Schiff, atëherë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, drejtoi ekipin e akuzës në procesin që synonte nxjerrjen e Trump para drejtësisë, bazuar në pretendimet se ai kishte ushtruar presion ndaj Ukrainës për ndërhyrje në zgjedhjet e 2020-ës. Procesi u bllokua nga Senati, i cili e shpalli Trump të pafajshëm.

Pas përfundimit të mandatit të Trump, prokurorja e Nju Jorkut Letitia James e akuzoi zyrtarisht atë për mashtrim, duke pretenduar se, në bashkëpunim me zyrtarë të kompanisë së tij, Trump kishte manipuluar shifrat për të krijuar përshtypjen se pasuria e tij ishte shumë më e madhe sesa realiteti, me qëllim sigurimin e kushteve të favorshme për kredi ose sigurime. Një gjykatës i shtetit urdhëroi Trump të paguante 464 milionë dollarë gjobë, por gjykata e shkallës më të lartë e anuloi këtë vendim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme