Trump ulet në tryezë me liderët evropianë, garancitë e sigurisë dhe shkëmbimi i territoreve hidhen në diskutim

Amerikë | 1 vit më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti sot në Shtëpinë e Bardhë një delegacion të liderëve evropianë dhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të diskutuar mbi përfundimin e luftës në Ukrainë, garancitë e sigurisë për Kievin dhe çështje të mundshme të shkëmbimit të territoreve.

Në tryezën e bisedimeve me liderët evropianë Trump përcaktoi objektivat për bisedimet e tij me udhëheqësit evropianë, duke thënë se ata do të diskutonin për rolin e gjithsecilit si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe “shkëmbimet e mundshme të territorit ” për t’i dhënë fund luftës.

“Presidenti Putin ra dakord që Rusia të pranonte garanci të sigurisë për Ukrainën. Dhe kjo është një nga pikat kryesore që duhet të konsiderojmë, dhe ne do të shqyrtojmë se në tryezë. Jam optimist se së bashku mund të arrijmë një marrëveshje që do të pengonte çdo agresion të ardhshëm kundër Ukrainës”, theksoi Trump.

Trump sugjeroi se çdo marrëveshje do të merrte parasysh “linjën aktuale të kontaktit” në frontin e luftës, duke lënë të kuptohet se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë nga territoret e okupuara nga Rusia, si Donbasi apo edhe Krimea, e aneksuar në 2014.

Zelensky ka refuzuar vazhdimisht çdo ide për heqjen dorë nga territori, duke argumentuar se kjo është antikushtetuese dhe mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për agresione të mëtejshme ruse.

Delegacioni evropian, i cili përfshin figura të larta si Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri britanik Keir Starmer, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Presidenti finlandez Alexander Stubb dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u mblodh për të treguar një front të bashkuar kundër agresionit rus dhe për të mbrojtur interesat e Ukrainës. Ky mobilizim i liderëve evropianë vjen pas shqetësimeve të ngritura nga takimi i Trump me Putinin, ku u raportua se presidenti amerikan ka hequr dorë nga kërkesa për një armëpushim para bisedimeve për paqe dhe ka shprehur gatishmëri për të diskutuar “shkëmbime territoriale” me Rusinë.

Liderët evropianë, të cilët u lanë jashtë samitit Trump-Putin në Alaskë, synojnë të sigurojnë që Ukraina të mos detyrohet të pranojë një marrëveshje që mund të rrezikojë sovranitetin e saj apo të dobësojë pozicionin e saj strategjik. Sipas një diplomati evropian, prania e tyre masive në Uashington është një përpjekje për të parandaluar një përsëritje të incidentit të shkurtit, kur Trump kritikoi Zelenskyn në Zyrën Ovale për mungesë mirënjohjeje ndaj ndihmës ushtarake amerikane.

Sipas të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, Putin ka shprehur gatishmërinë për të lejuar SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci sigurie të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, i cili konsideron një sulm ndaj një anëtari si sulm ndaj të gjithëve. Megjithatë, Trump ka qenë i qartë se çdo garanci sigurie do të jetë jashtë kornizës së NATO-s, duke pasur parasysh kundërshtimin e fortë të Rusisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në aleancë.

Zelensky, i cili mbërriti në Uashington të dielën vonë, theksoi nevojën për një paqe të qëndrueshme dhe jo thjesht një armëpushim të përkohshëm. Në një postim në X, ai deklaroi: “Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për të përfunduar këtë luftë shpejt dhe në mënyrë të besueshme. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme.” Ai kundërshtoi idenë se Rusia mund të përdorë territoret e aneksuara si një platformë për sulme të reja, duke iu referuar aneksimit të Krimesë në 2014 si një shembull.

Takimi i sotëm konsiderohet një moment vendimtar për të ardhmen e Ukrainës dhe marrëdhënieve transatlantike. Evropianët dhe Zelensky shpresojnë të bindin Trumpin për të marrë garanci të forta sigurie dhe për të mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, ndërsa Trump duket i fokusuar në arritjen e një marrëveshjeje paqeje sa më shpejt të jetë e mundur, edhe nëse kjo do të thotë kompromise të vështira për Ukrainën. Diskutimet e ardhshme, përfshirë një takim të mundshëm trilateral mes Trump, Zelensky dhe Putin, mund të përcaktojnë trajektoren e konfliktit dhe stabilitetin e Evropës në vitet që vijnë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme