Tuneli i Llogarasë nën monitorim 24/7, Balluku paralajmëron dënime për shkelësit e rregullave

Aktualitet | 1 vit më parë

Qendra e monitorimit dhe operimit të Tunelit të Llogarasë në Vlorë është kthyer në një pikë kyçe për sigurinë rrugore në jug të vendit. Me një operim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përmes kamerave të avancuara, kjo qendër mbikëqyr dhe koordinon lëvizjet e të gjitha automjeteve që kalojnë nëpër këtë vepër inxhinierike të rëndësishme.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, vizitoi tw hwnwn ambientet e kësaj qendre moderne, e cila tashmë plotëson të gjitha kushtet e monitorimit dhe sigurisë, sidomos me afrimin e sezonit veror kur pritet një fluks i shtuar lëvizjesh.

Brenda qendrës, e cila funksionon si një pikë nevralgjike për emergjencat, ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme. Aty janë të përfshirë stafi i emergjencës dhe i zjarrfikëseve, me një total prej 50 punonjësish, ku çdo turn ka 12-13 operatorë. Për më tepër, një makinë zjarrfikëse qëndron e stacionuar në garazhdin e qendrës, gati për çdo rast nevoje.

Ministrja Balluku lëshoi një paralajmërim të qartë për të gjithë drejtuesit e automjeteve, duke theksuar se “është shumë e rëndësishme për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të kuptojnë se janë të monitoruar 24 orë në tunelin e Llogorasë”. Ajo iu referua rasteve të fundit të shkeljeve, duke theksuar nevojën për t’i shmangur ato në tunel.

“Nuk ka parakalime dhe sinjalistika duhet respektuar. Gjithçka është e regjistruar dhe policia rrugore ka çdo minutë nga operimi i tunelit,” u shpreh Balluku, duke i bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat.

Sipas saj, të gjithë ata që kanë shkelur limitin e shpejtësisë, rregullat e sigurisë rrugore, apo kanë kryer parakalime, duhet të jenë të vetëdijshëm se do të përballen me Policinë Rrugore, e cila do të marrë masat e duhura. “Nëse nuk ju kanë ndaluar, nuk do të thotë se nuk do të vijë një gjobë apo një penalizim për sa i përket lejes së drejtimit,” theksoi ministrja.

Ajo garantoi se përmes kësaj qendre, çdo gjë monitorohet çdo minutë me instrumentet e duhura, për të garantuar sigurinë maksimale të lëvizjeve të mjeteve në tunelin 6 kilometra të gjatë. Ky monitorim i vazhdueshëm synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të disiplinojë drejtuesit, duke garantuar një kalim sa më të sigurt për të gjithë përdoruesit e tunelit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme