Turi i Orban në Kiev, Moskë e Kinë – Berlini thotë se kryeministri i Hungarisë nuk flet në emër të Evropës

Botë | 2 vite më parë

Vizitat e fundit të kryeministrit të Hungarisë në Kiev, Moskë dhe Pekin, të cilin Orban i quan “misioni i paqes” për Ukrainën, kanë sjellë reagimin e qeverisë gjermane. Zëdhënësi i saj tha se Orban nuk e ka ndërmarrë këtë tur vizitash për të negociuar në emër të Bashkimit Evropian. “Ai po udhëton si kryeministër i Hungarisë. Ai i ka të gjitha mundësitë e hapura, por jo në emër të BE-së ose si president i Këshillit Europian.”- tha Steffen Hebestreit.

“Në emër të Bashkimit Europian flasin krye diplomati Zhosep Borrell dhe presidenti i Këshillit Sharl Mishel, askush tjetër”- theksoi ministri gjermani Ekonomisë, njëherësh zëvendës kancelari Robert Habeck. “Orban ka udhëtuar në Kinë si kryeministër i Hungarisë dhe jo si përfaqësues i Evropës. Natyrisht ai mund ta bëjë këtë. Por ai nuk flet në emër të Evropës në këtë pozicion”, theksoi Habeck.

Orban gjatë vizitës në Kinë bashkë me presidentin Shi Jinpig bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. “Gjendja në Ukrainë duhet të qetësohet. Bashkësia ndërkombëtare duhet të krijojë kushtet që Rusia dhe Ukraina të mund të hyjnë në dialog direkt. Për këtë lipset një energji pozitive Kjo do t’u shërbente interesave të të gjitha palëve.”, ka thënë Shi. Hungaria më 1 korrik mori presidencën 6-mujore të Bashkimit Europian.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme