Turneu rajonal për vajza në “Shtëpinë e Futbollit”, një festë futbolli në kuadër të 8 Marsit

Futboll Vendi | 8 muaj më parë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë u organizua një turne rajonal me pjesëmarrjen e ekipeve të vajzave të moshës U-14. Aktiviteti u kthye në një festë të vërtetë futbolli, duke vënë në qendër rolin, energjinë dhe talentin e vajzave në sport.

Turneu mblodhi rreth 120 futbolliste të reja nga të gjithë rajonet e vendit, të shoqëruara nga stafet respektive të skuadrave, të cilat krijuan një atmosferë pozitive dhe plot entuziazëm sportiv, duke treguar pasionin e tyre për lojën. Në këtë aktivitet morën pjesë Përfaqësueset Rajonale të Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës dhe Gjirokastrës, të cilat u përballën me njëra-tjetrën në një seri ndeshjesh dinamike dhe emocionuese.

Turneu u ndoq nga afër edhe nga stafi teknik i federatës, ku Daniela Kodra, Cyme Lulaj dhe Rabie Tota vëzhguan me kujdes të gjitha ndeshjet, me fokus evidentimin e talenteve të reja dhe ndjekjen e zhvillimit të tyre në kuadër të projekteve për zhvillimin e futbollit të vajzave.

Në përfundim të aktivitetit, për të vlerësuar dhe motivuar pjesëmarrjen e tyre, të gjitha vajzat pjesëmarrëse u pajisën me certifikata mirënjohjeje, si simbol i angazhimit, pasionit dhe energjisë që sollën në këtë turne.

Përmes aktiviteteve të tilla, Federata Shqiptare e Futbollit vijon të inkurajojë pjesëmarrjen e vajzave në sport dhe të promovojë zhvillimin e futbollit të femrave në të gjithë vendin, duke krijuar më shumë mundësi për brezat e rinj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme