Turqia: Marrëveshja e mbrojtjes me Arabinë Saudite dhe Pakistanin nuk synon asnjë vend të caktuar

Europë | 3 muaj më parë

Turqia ka deklaruar se pakti i përbashkët i mbrojtjes i nënshkruar me Arabinë Saudite dhe Pakistanin nuk i drejtohet asnjë vendi të veçantë.

Burhanettin Duran, drejtori i Komunikimit i zyrës së presidentit Erdogan ka deklaruar se “marrëveshja e Mekës, e cila nuk synon asnjë vend të caktuar, do të forcojë sigurinë e përbashkët dhe parandalimin kolektiv të tre kombeve… duke dhënë kështu kontribute të rëndësishme në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”.

Duran e cilësoi paktin si “një hap historik” që forcon historinë e përbashkët, lidhjet e thella vëllazërore dhe frymën e fortë të solidaritetit mbi baza strategjike.

Ai shtoi se Turqia, nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global përmes bashkëpunimit strategjik me vendet mike dhe vëllazërore, në një mjedis gjithnjë e më kompleks të sigurisë botërore.

Sipas tij, marrëveshja pasqyron determinimin e tre vendeve për të mbajtur vlerat e përbashkëta dhe për të ndërtuar arkitekturën e ardhshme të sigurisë përmes solidaritetit.

Duran shprehu gjithashtu shpresën se marrëveshja do t’u sjellë përfitime tre vendeve vëllazërore dhe do të forcojë më tej vëllazërinë e thellë si dhe bashkëpunimin strategjik mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme