Turqia masa të rrepta pas sulmeve vdekjeprurëse në shkolla/ Vendos policë në çdo institucion, mbyll 93 grupe në “Telegram” dhe qindra llogari në rrjetet sociale, 83 të ndaluar

Ministritë e Brendshme dhe të Arsimit në Turqi njoftuan të enjten një reagim të gjerë kombëtar për sigurinë në shkolla, pas sulmeve të armatosura në Kahramanmaraş dhe Şanlıurfa, duke urdhëruar vendosjen e të paktën dy policëve në çdo shkollë.
Po përgatitet një plan veprimi me disa shtresa (afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë), si dhe vlerësime rreziku për çdo provincë, ndërkohë që në Kahramanmaraş u zhvilluan funeralet e nxënësve të vrarë. NLjë nxënës 17-vjeçar u ndalua në Tokat për shkak të një kërcënimi në rrjetet sociale ndaj një shkolle.
Mbledhje emergjente pas sulmeve në shkolla
Ministri i Brendshëm Mustafa Çiftçi dhe ministri i Arsimit Yusuf Tekin zhvilluan një mbledhje urgjente në Qendrën e Koordinimit të Sigurisë dhe Emergjencave në Ministrinë e Brendshme, me pjesëmarrjen e të 81 guvernatorëve të provincave, drejtuesve të policisë, komandantëve të xhandarmërisë dhe drejtorëve arsimorë.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se u analizuan si ndodhën sulmet në Kahramanmaraş dhe Şanlıurfa, reagimi fillestar i autoriteteve, kapaciteteti i koordinimit ndërinstitucional dhe sinjalet e rrezikut që ekzistonin para sulmeve
Gjithashtu u shqyrtuan siguria brenda dhe jashtë shkollave, procedurat e hyrje-daljeve, kontrolli i perimetrit, sistemet e kamerave, menaxhimi i vizitorëve, rrugët e autobusëve shkollorë dhe zonat ku mblidhen nxënësit.
Ministria e Brendshme aktivizoi menjëherë masa të shtuara sigurie në të gjitha institucionet arsimore në 81 provinca. Të paktën dy policë u vendosën në hyrjet dhe zonat përreth çdo shkolle dhe ekipe shtesë janë në gatishmëri gjatë orarit mësimor.
Në Ankara, policia kontrolloi identitetet dhe vlerësoi persona të dyshimtë pranë shkollave fillore, 9-vjeçare dhe të mesme.
Në Stamboll, policia kontrolloi automjetet dhe verifikoi identitetet rreth perimetrit të shkollave.
Në deklaratë thuhet se u ra dakord për përgatitjen e një plani veprimi me disa nivele dhe masa të tjera.
Autoritetet mbyllin 93 grupe në Telegram dhe ndalojnë 83 persona pas dy sulmeve në shkolla
Autoritetet turke kanë ndërmarrë një goditje të gjerë ndaj rrjeteve sociale pas dy sulmeve të përgjakshme në shkolla, duke mbyllur dhjetëra grupe dhe arrestuar persona që dyshohet se lavdëronin dhunën.
Sipas policisë: 83 persona janë ndaluar në të gjithë vendin; 93 grupe në Telegram janë mbyllur; 940 llogari në rrjetet sociale janë bllokuar. Këto masa u morën pasi u identifikuan postime që lavdëronin sulmet ose nxisnin panik publik.
Masat vijnë pasi në Kahramanmaraş një 14-vjeçar, nxënës i shkollës vrau 9 persona (8 nxënës dhe një mësues) dhe plagosi shumë të tjerë. Në Şanlıurfa një ish-nxënës plagosi disa persona para se të vriste veten. Ngjarjet kanë tronditur vendin, pasi sulme të tilla janë shumë të rralla në Turqi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




