U gjet e vdekur në banesën e përfshirë nga zjarri në Ulqin, kush është gruaja nga Lezha, dyshohet se u vra nga bashkëjetuesi

Aktualitet | 5 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ulqin natën e së martës, ku një grua shqiptare është gjetur e pajetë në banesën e saj në lagjen “Kodra”. Sipas mediave malazeze burri ka vrarë bashkëjetuesen e tij dhe më pas i ka vënë flakën shtëpisë ku jetonin së bashku.

Departamenti i Sigurisë së Ulqinit u njoftua mesnatën e së martës se kishte shpërthyer një zjarr në një ndërtesë banimi, një shtëpi në lagjen Kodra. Zyrtarët e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje ku u gjet trupi i pajetë i shtetases D.N., 36 vjeçe, shtetase e Shqipërisë.

Ata shtuan se oficerët e policisë shumë shpejt gjetën një person të panjohur me lëndime të shkaktuara nga zjarri, i cili më vonë u përcaktua të ishte shtetasi Bashkim Gashi, 46 vjeç, shtetas i Kosovës, i cili u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Tivarit dhe më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë.

Zyrtarët e policisë, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent, ndërmorën të gjitha masat dhe veprimet për sqarimin e ngjarjes, mblodhën informacione nga disa persona dhe sekuestruan pamje filmike nga kamerat e mbikëqyrjes, si dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes që do të jenë objekt i ekspertizës.

Kush është viktima?

Gazetari Elvis Hila raportoi për RTSH se 36-vjeçarja që u vra në Ulqin nga bashkëshorti i saj me origjinë nga Kosova, është nga Balldreni i Lezhës.

Viktima është identifikuar si Dile Ndoj, ndërsa ngjarja e rëndë ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës ku ajo jetonte.

Sipas të dhënave, familjarët kanë udhëtuar drejt Malit të Zi që prej ditës së djeshme, ku po ndjekin procedurat për tërheqjen e trupit të pajetë. Mësohet se ceremonia mortore pritet të zhvillohet në vendlindjen e saj, në Balldren të Lezhës, ku familja pritet të hapë dyert e mortit për pritjen e ngushëllimeve dhe përcjelljen në banesën e fundit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme