U përplasën me policinë para Kryeministrisë, arrestohen 14 protestues
Përplasjet dhe tensionet mes protestuesve dhe policisë para Kryeministrisë një ditë më parë, ka çuar në arrestimin e 14 protestuesve dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Sipas policisë protestuesit u grumbulluan në anën jugore të Kryeministrisë, duke bllokuar hyrje-daljet e institucionit, në një kohë kur aty ndodheshin personalitete të larta shtetërore.
Policia ngriti një kordon sigurie për të parandaluar depërtimin e protestuesve brenda perimetrit të sigurisë. Për rreth 30 minuta, efektivët u kërkuan protestuesve përmes megafonit të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën.
Sipas uniformave blu, protestuesit nuk iu bindën urdhrave dhe vijuan me veprime aktive kundër punonjësve të policisë. Në momentin kur efektivët nisën zhvendosjen e tyre për të liruar hyrje-daljet e Kryeministrisë dhe rrugën, disa prej protestuesve u ulën në rrugë dhe bënë rezistencë.
Policia pretendon se protestuesit goditën dhe shtynë efektivët gjatë ndërhyrjes.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë 14 persona, ndërsa tre të tjerë, M. J., 47 vjeç, A. T., 54 vjeç dhe A. G., 56 vjeç, do të procedohen penalisht në gjendje të lirë.
U arrestuan në flagrancë protestuesit: D. G., 50 vjeç; J. M., 38 vjeç; E. L., 28 vjeç; E. A., 35 vjeç; S. B., 50 vjeç; L. Gj., 47 vjeç; V. Sh., 52 vjeç; F. M., 22 vjeç; D. A., 29 vjeç; B. M., 34 vjeçe; A. Ll., 28 vjeçe; Y. B., 38 vjeç; A. K., 46 vjeç dhe A. D., 30 vjeç.
Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Njoftimi i plotë i policisë
Tiranë/Kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë dhe bllokuan hyrje-daljet e Kryeministrisë, në kohën kur në këtë institucion të rëndësisë së veçantë ndodheshin personalitete të larta shtetërore, arrestohen 14 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 01.09.2026, pranë Kryeministrisë:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. G., 50 vjeç; J. M., 38 vjeç; E. L., 28 vjeç; E. A., 35 vjeç; S. B., 50 vjeç; L. Gj., 47 vjeç; V. Sh., 52 vjeç; F. M., 22 vjeç; D. A., 29 vjeç; B. M., 34 vjeçe; A. Ll., 28 vjeçe; Y. B., 38 vjeç; A. K., 46 vjeç dhe A. D., 30 vjeç.
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. J., 47 vjeç; A. T., 54 vjeç dhe A. G., 56 vjeç.
Më datë 01.09.2026, rreth orës 20:00, një grup pjesëmarrësish në tubim u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, ku bllokuan hyrje-daljet në ambientet e këtij institucioni, në kohën kur aty ndodheshin personalitete të larta shtetërore. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë krijuan një kordon sigurie, me qëllim moslejimin e depërtimit të mëtejshëm brenda perimetrit të sigurisë.
Tubuesit vijuan qëndrimin në rrugën “Ismail Qemali”, përpara hyrjes së Kryeministrisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të punonjësve të Policisë, për rreth 30 minuta, nëpërmjet megafonit, për shpërndarjen e tubimit dhe lirimin e rrugës.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nëpërmjet megafonit, u bënë të ditur pjesëmarrësve në tubim se veprimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin, në cenim të rendit dhe qetësisë publike, si dhe të perimetrit të sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë. Gjithashtu, iu bë e ditur se, si pasojë e tubimit, ishte penguar qarkullimi i mjeteve të transportit dhe lëvizja e lirë e personaliteteve të larta shtetërore.
Pavarësisht thirrjeve të Policisë, tubuesit vijuan me thirrje dhe veprime aktive për kundërshtimin me forcë të punonjësve të Policisë të planëzuar në kordonin e sigurisë.
Në momentin që punonjësit e Policisë po kryenin zhvendosjen e tubuesve, me qëllim lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë dhe lirimin e rrugës, tubuesit bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë, vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të rrugës, si dhe goditën dhe shtynë punonjësit e Policisë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



