Uashington, Makroni mirëpritet si një “aleat jetik” i SHBA-së

Botë | 4 vite më parë

Presidenti francez, Emmanuel Makron vizitoi të mërkurën selinë e agjencisë hapësinore amerikane NASA së bashku me zëvendespresidenten, Kamala Harris në Uashington, në kuadër të vizitës se tij zyrtare në SHBA.

Presidenti amerikan, Joe Biden do të mirëpresë homologun e tij francez në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Administrata amerikane e quan Francën aleatin e saj më të vjetër dhe ka vlerësuar angazhimin e Makron pas pushtimit rus të Ukrainës.

Gjatë takimit me Makron, Harris e vlerësoi Francën si një “aleat jetik” të SHBA-së, ndërsa nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në hapësirë mes dy vendeve.

Makron e përshkroi hapësirën si një vend të ri konflikti, duke e bërë bashkëpunimin edhe më të rëndësishëm midis shteteve që janë po aq të përkushtuara ndaj shkencës dhe që ndajnë vlera demokratike.

Makron pritet të takohet me Biden për një darkë joformale, përpara se të fillojë pjesa zyrtare e vizitës. Vizitat shtetërore, ndryshe nga udhëtimet e rregullta të punës, zakonisht shoqërohen me ceremoni dhe protokoll të veçantë.

Sipas një deklarate të lëshuar paraprakisht nga SHBA-ja, bisedimet mes Biden dhe Makron do të përqendrohen te lufta në Ukrainë. Temat e tjera përfshijnë Kinën, Iranin, rajonin Indo-Paqësor dhe bashkëpunimin e përbashkët ekonomik.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme