Ulet numri i aksidenteve në Korçë, 57 raste në shtatë muaj nga 73 një vit më parë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë një ulje të numrit të aksidenteve rrugore në qarkun e Korçës, si gjatë muajit korrik, ashtu edhe në bilancin e shtatë muajve të parë të vitit. Në korrik 2026 janë regjistruar 12 aksidente, një më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur u shënuan 13 raste. Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur ka shënuar një rënie të lehtë, nga 13 në korrik 2025 në 12 gjatë këtij viti.

Të dhënat e INSTAT tregojnë për një rënie të aksidentevese edhe në bilancin janar-korrik, me 57 aksidente të regjistruara këtë vit, nga 73 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në shtatë muajt e parë të vitit, në qarkun e Korçës janë regjistruar 65 persona të vrarë ose të plagosur si pasojë e aksidenteve rrugore, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte 79.

Shifrat e Korçës vijnë në një kohë kur në rang vendi situata paraqitet ndryshe. Sipas INSTAT, gjatë korrikut në Shqipëri janë regjistruar 165 aksidente rrugore, me 235 persona të vrarë dhe të plagosur, ndërsa për periudhën janar-korrik numri i aksidenteve është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë.

Sipas statistikave kombëtare, pjesa dërrmuese e aksidenteve vijon të lidhet me sjelljen e drejtuesve të mjeteve, ndërsa korriku ka shënuar numrin më të lartë të aksidenteve në fashën orare 19:00-24:00.

Të dhënat e qarkut të Korçës tregojnë një tendencë pozitive në këtë drejtim, megjithatë siguria rrugore mbetet një sfidë që kërkon respektimin e rregullave të qarkullimit dhe kujdes të shtuar nga të gjithë përdoruesit e rrugës.

Gazetare: E. Fili 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme