Ulet prodhimi i fasules në Devoll, shkak mungesa e lagështirës në tokë

Sociale | 2 vite më parë

Temperaturat e larta që kanë shoqëruar këtë periudhë, kanë sjellë shtimin e nevojës për ujitjen e kulturave bujqësore.

Fermerët që kultivojnë të lashta janë në përfundim të procesit të korrjes, ndërkohë sa i takon perimeve po kryejnë një sërë shërbimesh në to. Përgjegjësi i Sektorit të Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në bashkinë Devoll, Ylver Bylykbashi, thotë se sa i takon fasules, prodhimi pritet të jetë më i ulët si shkak i thatësirës nga mungesa e reshjeve.

“Temperaturat e larta kanë bërë të nevojshme ndërhyrjen me ujitje dhe vëmendja e fermerëve është përqendruar në ujitjen e kulturave perimore, patates, pemët frutore. Fasulja kultivohet në gati gjithë zonën e  Devollit por për këtë vit ka një specifik se temperaturat e larta ka bërë që të lidhet sa më pak bishtaja dhe në pjesët që kanë qenë me ujitje, prodhimi është i mirë. Por në shumicën e parcelave ka mangësi të mëdha në prodhim”, deklaroi Bylykbashi.

Zona e Devollit kultivon kryesisht fasulen trenare, për të cilën kërkesa në treg ka pasur dhe vitin e kaluar çmimi i tregtimit ishte tepër i kënaqshëm për fermerët pasi shkoi deri në 600 lek të reja për kg me shumicë.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme