UNICEF: Holanda, vendi më i mirë në botë për rritjen e fëmijëve  

Botë | 1 vit më parë

Holanda është renditur si vendi më i mirë për rritjen dhe mirëqenien e fëmijëve ndër 43 shtete të anketuara, në një raport të publikuar së fundmi nga UNICEF.

Sipas raportit, ky vend ofron kushtet më të larta për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shëndetin mendor dhe fizik, arritjet akademike dhe përgatitjen për të ardhmen.

Pas Holandës, në renditje ndjekin Danimarka, Franca, Portugalia dhe Irlanda, vende që gjithashtu ofrojnë mbështetje të fortë për zhvillimin e fëmijëve.

Në anën tjetër të spektrit, vendet me përqindjet më të larta të fëmijëve që hasin vështirësi në lexim, shkrim dhe aritmetikë janë Bullgaria, Kolumbia, Kosta Rika, Qipro dhe Meksika. Për sa i përket aftësive akademike, Japonia, Koreja e Jugut dhe Sllovenia janë ndër vendet që kryesojnë listën.

Raporti thekson gjithashtu se gjatë 25 viteve të fundit janë bërë përmirësime të dukshme lidhur me rënien e vdekshmërisë foshnjore, uljen e vetëvrasjeve te adoleshentët dhe rritjen e përqindjes së përfundimit të shkollës. Megjithatë, sfidat mbeten.

Fëmijët e sotëm përballen me një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, të shënuar nga pandemia COVID-19, konflikte, ndryshime klimatike dhe përparime të shpejta teknologjike që ndikojnë në jetën dhe zhvillimin e tyre. Mbylljet e shkollave të shkaktuara nga pandemia COVID-19 patën një ndikim të konsiderueshëm në aftësitë akademike të fëmijëve.

10 vendet më të mira për fëmijët:

1: Holanda

2: Danimarka

3: Franca

4: Portugalia

5: Irlanda

6: Zvicër

7: Spanjë

8: Kroacia

9: Italia

10: Suedia

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme