Valbona dhe Korab-Koritniku, sezon turistik i mbarë. 61 mijë vizitorë dhe asnjë aksident
Lugina e Valbonës dhe Parku Natyror Korab-Koritnik mbeten dy nga zonat më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Lefter Gjana, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës, thotë se shtigjet malore të qarkut të Kukësit ofrojnë mundësi për hiking dhe alpinizëm.
“Vendet më të frekuentuara vazhdon të ngelet shtegu Theth-Valbonë, shtegu pikës V të Balkonit që lidh Thethin-Valbonën nëpër Qafën e Valbonës, Lumin e Gashit, Bjeshkët e Sulbicës. Përsa i përket Parkut të Alpeve, si dhe në Parkun Natyror Korab-Koritnik, kemi shtegun e Ngjyrave, Majën e Gjallicës, shtegun Çaj-Prozhusit, një shteg i ri që ka filluar të frekuentohet gjatë këtij viti”, tha Gjana.
Me rëndësi, sipas Gjanës, është fakti që gjatë këtij sezoni nuk është shënuar asnjë incident apo aksident me turistë në zonat e mbrojtura të qarkut.
61.000 turistë e vizituan këto zona në shtatëmujorin e këtij viti.
“Më shumë kanë qenë turistë çekë, gjermanë. Kemi pasur edhe turistë francezë. Se ne i klasifikojmë vizitorë të huaj ose vendas, por kemi pothuajse nga të gjitha vendet, edhe nga vendet e Ballkanit”, tha ai.
Shtigjet, biodiversiteti dhe peizazhet alpine mbeten ndër atraksionet kryesore, duke bërë që Kukësi të zgjerojë ofertën turistike përmes natyrës dhe aktiviteteve në terren.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



