Vau i Dejës / Transportonte një minë me telekomandë, një i arrestuar, në kërkim bashkëpunëtori. Policia: Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale
Një person është vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi u kapën duke transportuar një minë me telekomandë. Arrestimi i tyre, tha policia, parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale
Gjatë operacionit të koduar “Remote” është vënë në pranga 38-vjeçari Euglen Buraku, banues në Spitallë, Durrës, i cili u kap duke transportuar një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Ndërkohë, është shpallur në kërkim një 34-vjeçar, E. P., banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor i tij.
Rreth orëve të para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, efektivët ndaluan për kontroll automjetin me të cilin lëvizte i dyshuari.
Gjatë kontrollit, u gjet dhe u sekuestrua një minë me telekomandë, e lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e destinacionit dhe qëllimit të transportimit të minës, si dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




