Vendet e Gjirit kërkojnë rrugë të reja nafte – Vendet arabe projektojnë tubacione gjigante. Orban kërkon heqjen e sanksioneve Rusisë
Kërcënimi iranian për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit ka vënë në lëvizje shtetet e Gjirit, të cilat po kërkojnë rrugë të reja për eksportin e naftës. Përballë këtij rreziku, planet për tubacione gjigante që anashkalojnë zonën e nxehtë po kthehen nga ide në projekte konkrete. Arabia Saudite po shfrytëzon maksimalisht arterien e saj kryesore, duke dërguar miliona fuçi naftë drejt Detit të Kuq.
Amin Nasser, kreu i gjigantit Aramco, konfirmoi se “kjo është rruga kryesore që po përdoret aktualisht” për të shmangur bllokadën. Megjithatë, ndërtimi i rrjeteve të reja mbetet një sfidë e kushtueshme, me kosto që arrijnë deri në 20 miliardë dollarë. Ekspertët theksojnë se atmosfera ka ndryshuar dhe se vendet e Gjirit duhet të kontrollojnë fatin e tyre pa u varur nga nyjet që të tjerët mund t’i bllokojnë.
Por përtej kostove, projektet përballen me terrene të vështira malore dhe rreziqe të vazhdueshme nga grupet militante në rajon. Ndërkohë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka paralajmëruar se Evropa po shkon drejt një krize të rëndë ekonomike dhe ka bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj energjisë ruse.
“E vetmja rrugëdalje është heqja e sanksioneve të vendosura ndaj energjisë ruse. Menjëherë. Duhet të mendojmë jo për Putinin, por për vendin tonë dhe popujt tanë’, tha ai përmes një postimi në rrjetet sociale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




