Vendimet e qeverisë/ Masa për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike në situata të jashtëzakonshme

Aktualitet | 7 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme në mbledhjen e sotme. Vendimet nisin që nga siguria e komunikimeve elektronike, ku janë miratuar masat për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve të komunikimeve elektronike në situata të jashtëzakonshme deri te rregullimi i formës, mënyrën dhe procedurës së raportimit të të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 174, të  ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Infrastrukturën dhe Energjinë, Këshilli i Ministrave, vendosi; miratimin e masave për sigurimin e vazhdueshmërisë së ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike në situata të jashtëzakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, shkruhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Një projektligj tjetër që është miratuar ka të bëjë ai me programin Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve.

“Ky program përcakton politikat kombëtare për të ulur gjenerimin e mbetjeve në burim, duke promovuar riciklimin, ri-përdorimin dhe një ekonomi më të qëndrueshme rrethore”, thuhet në VKM.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave vendosi të deklarojë si pasuri kulturore të paluajtshme disa zona të rëndësishme arkeologjike dhe arkitekturore, duke miratuar edhe zonifikimin dhe planet e ruajtjes: Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit (me hartën e zonifikimit dhe koordinatat në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare). Zona arkeologjike “A” e Bushatit, Bashkia Vau i Dejës. Parku Arkeologjik i Orikumit (sipas hartës dhe koordinatave përkatëse).

Po ashtu, u deklarua si “Ansambël arkitektonik urban” një zonë në qytetin e Delvinës, sipas dokumentacionit gjeodezik bashkëlidhur vendimit. Këto masa synojnë mbrojtjen ligjore, ruajtjen dhe administrimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.

Ndërkaq është hapur procedura e pranimit në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese për kandidatë jashtë Shërbimit Civil, për vitin 2026. Ky vendim lejon hyrjen e talenteve të reja nga jashtë sistemit në pozicione drejtuese.

Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe vendimin për organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, duke përcaktuar qartë kompetencat e Qendrës dhe të Koordinatorit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit. “Ky hap forcon koordinimin institucional në operacionet e shpëtimit dhe menaxhimin e emergjencave”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Midis shumë vendimeve të tjera,  Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që “rregullon formën, mënyrën dhe procedurën e raportimit të të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ky vendim synon të rrisë transparencën, efikasitetin dhe saktësinë e të dhënave kadastrale.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme