Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Bardhi: Akt i paprecedentë! Kanë ndryshuar objektin e kërkesës

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk pranoi kërkesën e një grupi prej 35 deputetësh demokrat për konsiderimin jo kushtetues të vendimit të Kuvendit, për mosngritjen e një Komisioni Hetimor për investimet strategjike.
Në një postim në Facebook, Bardhi e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese “të paprecedentë”, teksa akuzon se kanë ndryshuar objektin e kërkesës.
Sipas deputetit demokrat, kërkesa e paraqitur prej tyre nuk ka si objekt zgjidhjen e një mosmarrëveshje të kompetencave mes pakicës dhe shumicës, por kanë kërkuar interpretimin përfundimtar të Kushtetutës në lidhje më çështjen.
“Guximi i Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar objektin e kërkesës së 1/5 së deputetëve mund të shpjegohet vetëm me errësimin e syve nga oligarkët e investimeve strategjike. Është akt i paprecedent vendimi i sotëm i GJK që nuk shprehet për kërkesën e paraqitur, por supozon për ekzistencën e një kërkese që nuk është paraqitur. Në GJK nuk është paraqitur asnjë kërkesë për zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave mes pakicës dhe shumicës. 1/5 e deputetëve kanë të drejtë të kërkojnë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe kanë paraqitur këtë kërkesë. Të ndryshosh objektin e kërkesës dhe të shprehesh për një kërkesë që nuk është paraqitur është lajthitje. Kush i detyrojë anëtarët e GJK të lajthisin për llogari të oligarkëve?!”, ka shkruar Bardhi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




