Vengu dhe Hoxha në Elbasan, falënderojnë ekipin që punoi për shuarjen e zjarrit në landfill

Aktualitet | 1 vit më parë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ai i Brendshëm, Ervin Hoxha, ishin në Landfillin e Elbasanit, ku falënderuan nga afër ekipin e forcave operacionale, që luftuan për gjashtë ditë me radhë për shuarjen e flakëve.

Ministri Vengu tha se do të merren masa konkrete për parandalimin e zjarreve duke instaluar kamera termike.

“Tani është momenti që të vijojmë me masat parandaluese, në mënyrë që të kemi monitorim me kamera termike dhe të jemi në kushte të reagimit të menjëhershëm sa herë që do të jetë nevoja,” u shpreh ministri Vengu.

Ai foli edhe mbi matjet e bëra në ajër pas zjarrit.

“Forcat e specializuara të Forcave të Armatosura për elementet kimike kanë bërë matjet dhe na rezulton që në zonat urbane dhe në zonat përreth nuk ka pasur elemente shqetësimi. Kjo është analiza jonë,” sqaroi z. Vengu.

Policia nga ana e saj ka referuar materialet në prokurori.

“Shumë shpejt do të kemi edhe arsyet e vërteta të këtij zjarri,” deklaroi ministri i Brendshëm, z. Hoda.

Kryebashkiaku i Elbasanit u kërkoi ndjesë qytetarëve me situatën e krijuar për shkak të pezullimit të grumbullimit të mbetjeve në landfill.

“Ka pasur problematika me mbingarkesën gjatë këtyre ditëve. Kjo situatë po stabilizohet. Po bëhet edhe transportimi i mbetjeve provizore për dy-tre ditë në pozicione të caktuara,” u shpreh kryebashkiaku Gledis Llatja.

Në këtë aksion janë angazhuar të gjitha institucionet, si vendore, edhe qendrore, për të mos pasur situata të ngjashme në të ardhmen.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme