Vetëvendosje zyrtarizon Glauk Konjufcën për President, ofertë opozitës për të shmangur zgjedhjet

Kosovë | 8 muaj më parë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka hedhur hapin e radhës për të përmbyllur procesin e konstituimit të institucioneve të reja në Kosovë, duke propozuar zyrtarisht Glauk Konjufcën si kandidat për postin e Presidentit të Republikës. Ky propozim vjen në një përpjekje për të zhbllokuar ngërçin politik dhe për të shmangur rikthimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Sipas njoftimit zyrtar të subjektit fitues të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, kandidimi i Konjufcës pason përpjekjet e pasuksesshme për të gjetur një figurë konsensuale me partitë e opozitës. Partia në pushtet vlerëson peshën politike të Konjufcës, duke e theksuar profilin e tij si deputet në shtatë legjislatura dhe si personin e dytë më të votuar në historinë e Republikës së Kosovës.

Në një lëvizje për të siguruar mbarëvajtjen e procesit, i cili Kushtetutshmërisht kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë gjatë votimit, Vetëvendosje i ka bërë thirrje bllokut opozitar që të paraqesë një kandidat të vetin. Vetëvendosje ka ofruar edhe nënshkrimet e nevojshme nga grupi i saj parlamentar për të mbështetur propozimin e opozitës, duke synuar kështu legjitimimin e garës demokratike.

Përfaqësuesit e LVV-së theksojnë se vota e qytetarëve ishte një mesazh i qartë kundër bllokimit të shtetit, çka i hapi rrugë formimit të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë. Pavarësisht ftesave të përsëritura për dialog dhe, sipas LVV-së, ”mungesës së propozimeve konkrete nga ana e opozitës, subjekti qeverisës mbetet i bindur se sfida e zgjedhjes së kreut të shtetit është e kalueshme dhe zgjedhjet janë të evitueshme”.

Fati i këtij procesi thelbësor për stabilitetin e vendit pritet të përcaktohet në seancën parlamentare të planifikuar për t’u mbajtur mbrëmjen e sotme. Zgjedhja e Presidentit mbetet hallka e fundit për të mbyllur plotësisht arkitekturën e re institucionale të dalë nga zgjedhjet e dhjetorit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme