VIDEO- Policia parandaloi vrasjen e një personi në Vlorë, Balla: Do tu shkojmë deri në fund zbardhjes së ngjarjeve kriminale

Aktualitet | 3 vite më parë

Tentativa për të vrarë një person dhe prangosja e një prej 3 autorëve të dyshuar nga an e policisë, është komentuar edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se parandalimi i ngjarjeve kriminale është detyrë parësore e Policisë së Shtetit. Sipas tij, hetimet kanë nisur verën e kaluar pas arrestimit të një personi.

“Parandalimi i ngjarjeve kriminale është detyrë parësore e Policisë së Shtetit. Arrestimi i një personi në verën e vitit të kaluar në Vlorë, ndërsa përgatitej të kryente një krim të rëndë kundër personit, nga Policia e Shtetit dhe hetimi shumë profesional disa mujor nën drejtimin e një prej prokurorëve të SPAK, ka çuar në identifikimin dhe vendosjen nën akuzë të tre anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal.”, shkruan Balla.

Sipas tij, ky operacion dhe kjo formë efikase bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe SPAK janë një shembull i shkëlqyer për tu shkuar deri në fund zbardhjes së shumë ngjarjeve kriminale.

“Gjithashtu përgëzime Policisë së Shtetit në Tropojë, Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Dibër, Shkodër dhe Muriqan, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe  Drejtorisë për Krimet e Rënda në DPPSH. Gjatë 24 orëve të fundit janë sekuestruar një arsenal armësh zjarri, municion luftarak, uniforma ushtarake, lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.”, mbyll postimin Balla. 

Forcat Speciale prangosin një shtetas, dy shpallen në kërkim

Uniformat blu në qytetin e Vlorës, të mbështetura edhe nga forca speciale, kanë zhvilluar një operacion policor për kapjen e tre shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ata akuzohen për një seri veprash penale si krijimi i kushteve për të kryer vrasje, grup i strukturuar kriminal dhe mbajtje e armëve dhe eksplozivëve.

Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e SPAK-ut dhe ishte koduar me emërtesën “Trekëndëshi”.

Ky operacion u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë dhe Tiranë.

“Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, zhvilluan operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 3 shtetas. Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë.”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

Në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z., pasi  Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

“Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.  Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme”, mbyllet njoftimi i policisë.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme