Vijojnë restaurimet në Kalanë e Borshit, Gonxhja ndjek nga afër punimet: Potencial i madh për turizmin kulturor

Kulturë | 6 muaj më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve restauruese në Kalanë e Borshit, ku prej disa muajsh po zhvillohet një ndërhyrje e gjerë për ruajtjen dhe rijetëzimin e këtij monumenti historik.

Punimet janë fokusuar në përforcimin e masivit shkëmbor mbi të cilin ngrihet xhamia e kalasë, stabilizimin e shpatit për rritjen e sigurisë së vizitorëve, si dhe përmirësimin e rrugës hyrëse për të garantuar akses më të lehtë. Një tjetër komponent i rëndësishëm i projektit është stabilizimi strukturor i vetë kalasë, përfshirë restaurimin e mureve, bedenave dhe ndërhyrjet konservuese në xhami, ku po punohet për muraturën, elementët e dëmtuar dhe pikturat murale, duke ruajtur autenticitetin historik.

Gjatë procesit të pastrimit të territorit nga bimësia dhe rrënojat, janë zbuluar edhe elementë të rinj me vlerë të veçantë historike, si stera për mbledhjen e ujit të shiut, gjurmë ndërhyrjesh të fillimit të shekullit XX dhe struktura më të hershme, që pasurojnë historinë e sitit dhe rrisin potencialin e tij si destinacion turistik.

Projekti po zbatohet nga Cultural Heritage without Borders Albania dhe monitorohet nga DRTK Vlorë, me financim nga Banka Botërore përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me IKTK.

Autoritetet synojnë që në vijim të zhvillojnë një menaxhim të integruar të zonës në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, duke përfshirë transportin e gjelbër për turistët, përmirësimin e infrastrukturës në lagjen poshtë kalasë dhe promovimin e mëtejshëm turistik të zonës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme