Vila 2100-vjeçare me 5 pishina, RTSH “dëshmon” zbulimin e rrallë në kompleksin madhështor

Vila në zemër të Durrësit që u zbulua në nëntokën e vendit ku do të ndërtohej shkolla “Gjergj Kastrioti” zbulon një thesar të rrallë. Askund në Ballkan deri më sot nuk është zbuluar një vilë me 5 pishina dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. Prof. Dr Luan Përzhita, i cili po drejton gërmimet në vilën që daton rreth 100 vjet para lindjes së Krishtit, teksa po zbulonte madhështinë e kësaj vile në emisionin “Në folenë e shqiponjave”, u njoftua për një zbulim të rrallë të cilin e dokumentuam me kamerën tonë.
Bëhet fjalë për një mozaik të rrallë që në 5 dekada karrierë, profesor Përzhita e ka hasur shumë rrallë. Mozaiku i ndërtuar me qeramikë në formë parketi me shumë se 21 shekuj më parë, është një zbulim i rrallë ashtu si edhe pjesa tjetër e arkitekturës së kësaj vile madhështore.
“Shumë nga arritjet dhe zbulimet kanë kaluar edhe pritshmëritë tona. Kemi ndërtimin e një vile shumë luksoze në fund të shekullit I dhe në fillim të shekullit I p.e.k. Është fjala e ndërtimit të një vile mbase dykatëshe e cila ka qenë në një nivel të lartë jo vetëm artistike kulturore por edhe arkitektonik”, u shpreh Dr. Luan Përzhita-Arkeolog.
Sot pas dy muajve gërmime, dr. Përzhita mbyll edhe kontratën e bashkëpunimit me Bashkinë e Durrësit për gërmimet në këtë sit arkeologjik, ndërsa vila, një nga të rrallat në rajon, mund të përfundojë në harresë nëse puna për zbulimin e plotë dhe ekspozimin në publik nuk do të finalizohet.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




