Vizita e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Rama e nderon me Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të Kryeministrit Edi Rama. Ai e mirëpriti me ceremonial shtetëror në aeroportin “Nënë Tereza” Presidentin e Emirateve dhe mikun e popullit shqiptar.
Në një ceremoni të posaçme, Kryeministri Edi Rama e nderoi Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan me Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike.
“Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh; Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë – do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar… Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohje për çdo kontribut të dhënë nga Presidenti i Emirateve edhe në çështjen globale të paqes dhe të sigurisë.
“Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm! Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente ngrihet si dëshmi se gjithçka që thoni e mendoni me të vërtetë”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri Rama vlerësoi kontributin e Emirateve të Bashkuara edhe gjatë luftës në Kosovë, kur Shqipëria strehoi vëllezërit nga Kosova.
Gazetare: Denada Shkodrani
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




