Vjosa në UNESCO, Marika: “Njeriu dhe biosfera” do i japë dimension tjetër ekosistemit

Aktualitet | 2 vite më parë

Shqipëria ka dorëzuar pranë UNESCO-s kërkesën për përfshirjen e Parkut Kombëtar të lumit Vjosa në pasuritë natyrore botërore brenda programit “Njeriu dhe biosfera”.

Në studion e “Mirëmëngjes Shqipëri”, Klodiana Marika, shefe e Drejtorisë për Natyrën dhe Pyjet, shpreson që aplikimi të jetë i suksesshëm, pasi do t’i japë një dimension tjetër atraktiv ekosistemit në Shqipëri.  

“Vjosa tashmë është ajo “vajza harrakate” e cila i ka mbijetuar çdo lloj sulmi njerëzor dhe ka dal tashmë me statusin “Park Kombëtar”. Dorëzimi i  dosjes së Vjosën është një proces i  nisur me propozim të Ministrisë së Turizmit dhe Agjensisë së Zonave të Mbrojtura.  Kur flasim për futjen e Vjosës në programin “Njeriu dhe Biosfera” nënkupton edhe futjen e Parkut në të dhe kjo përbën zonën qendrore. Bëhet fjalë për 300 mijë hektarë të cilat futen te “Njeriu dhe Biosfera”. Shpresojmë që aplikimi të jetë i suksesshëm pasi programi “Njeriu dhe Biosfera” është prestigjioz në të cilën ndërthuren harmonia njerëzore dhe vlerat e lartë të natyrës, komunikimi dhe aplikimi i qasjeve në natyrë duke lënë edhe popullsinë e komuniteteve vendorë të lirë në zhvillimin e aktiviteteve.

Pasja e një Parku kombëtar dhe futja në programin “Njeriu dhe Biosfera” do t’i japë një dimension tjetër jo vetëm atraktiv, por edhe një zgjerim të përgjegjësive që ka ky ekosistem kaq i larmishëm në Shqipëri”, tha Marika.  

Në një lidhje me Skype, ekspertja e turizmit, Alma Spathara, u shpreh se futja e Vjosës si pjesë e “Njeriut dhe Biosferës” do të forcojë edhe më shumë rëndësinë për të mbrojtur vlerat ekologjike.

“Vjosa gjendet në zemër të Shqipërisë dhe ka një rëndësi të madhe jo vetëm për ekosistemin dhe biodiversitetin , por edhe për numrin e madh të banorëve që jetojnë rreth saj. Vjosa tashmë është kthyer në një destinacion eko-turistik në vendin tonë. Ajo pret me mijëra vizitorë për sportdashësit. Vjosa duhet trajtuar me një rëndësi të madhe kombëtare. Futja e Vjosë si pjesë e programin “Njeriu dhe Biosfera” do të forcojë edhe më shumë rëndësinë për ta mbrojtur të gjithë vlerat ekologjike të saj“, u shpreh Spathara.

Lumi Vjosa njihet si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Ai u shpall “park kombëtar” nga qeveria shqiptare në mars të vitit të kaluar, pas përpjekjeve disavjeçare të organizatave mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lumit nga ndërtimi i digave për hidrocentrale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme