Vllaznia kërkon titullin kampion në boks

Kampionati Kombëtar i Boksit për të rritur, që javën e ardhshme do të zhvillohet në Shkodër, është aktiviteti më i rëndësishëm i “dorezave” në vend. Pikërisht më 16, 17 dhe 18 shtator priten gara të ethshme për të përcaktuar kampionin e vitit 2021. Në prag të këtij aktiviteti, kryetrajneri i Vllaznisë në boks, Zef Gjoni, ka shfaqur dhe objektivat e pretendimeve e kuqebluve.
“Gjendja e Vllaznisë është e mirë, kundërshtari është shumë i fortë. Tirana është përforcuar shumë kësaj radhe, sepse ka patur mbështetjen e Bashkisë. Lufta do të jetë shumë e fortë, pasi boksierët tani pas dy vitesh ngjiten në ring”
Në cilësinë e trajnerit të kombëtares në boks, Zef Gjoni bën të ditur se mbi bazën e përfundimeve të kampionatit kombëtar do të bëhet dhe përzgjedhja e kuqezinjve për në Kampionatin Botëror, i cili zhvillohet në Serbi.
“Atë ditë që do të mbarojnë ndeshjet, ne kemi mundësinë që me fondet e Federatës, 4-5 boksierët më të mirë të marrin pjesë në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Serbi”.
Trajneri Gjoni ka shpjeguar dhe bashkëpunimin që pritet të ketë me boksin holandez, kjo dhe nga vizita e presidentit të Federatës së Boksit të Holandës në palestrën e Vllaznisë.
“Me pritjen këtu në Shkodër, neve na ka vlejtur shumë, sepse ishte dashamirës. Na ka ftuar që të bëjmë një stërvitje të përbashkët me ekipin përfaqësues hollandez, që do të marrë pjesë në Botëror”, ka përfunduar Gjoni.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




