Volejboll Meshkuj/Nis beteja finale e titullit

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Superliga e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj ka hyrë tashmë në aktin e tij të fundit, duelin finale për titullin “kampion”. Dhe ky duel është një derbi i kryeqytetit, pasi Partizani po përballet me Tiranën dhe të premten është luajtur ndeshja e parë e serisë së “plej-of”-it. Kjo ndeshje, e cila është luajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” dhe ka zgjatur për plot dy orë, ka patur dy tabllo, teksa në dy setet e para, secila skuadër ka fituar bindshëm, ndërsa dy setet e tjera kanë qenë mjaft të luftuar dhe të barazpeshuar.

Kështu, skuadra bardheblu e trajnerit Ben Sako, që ishte udhëtuese në këtë duel të parë, e ka fituar setin e parë 25-17, por të kuqtë e homologut Ylli Tomori janë kundërpërgjigjur, duke e fituar atë të dytin edhe më bindshëm, me shifrat 25-14. Krejt ndryshe ka qenë seti i 3-të, ku përtej një nisjeje të mirë të Partizanit, që kryesoi 12-7, Tirana ka reaguar dhe paskëtaj ka vijuar me të dyja skuadrat që luftojnë pikë për pikë.

Dhe përtej faktit që Partizani i mohoi 4 herë pikën e fitores Tiranës, janë bardheblutë që e fitojnë atë me shifrat 28-26, duke kryesuar tanimë 2-1 me sete. Seti i 4-t ka qenë po aq i luftuar, por Tirana ka patur një epërsi të lehtë në vazhdim dhe e ka marrë atë me shifrat 25-23 dhe gjithë takimin me rezultatin 3-1.

Bardheblutë kryesojnë serinë finale me rezultatin e përgjithshëm 1-0, ndërsa ndeshja e radhës është ajo e 17 prillit, që do të luhet në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme