Vrasja e 66-vjeçarit në Sarandë-Policia e Vlorës zbardh dinamikën e ngjarjes/Shpallet në kërkim autori, shoqërohet edhe i plagosuri

Aktualitet | 6 muaj më parë

Drejtor i drejtorisë së Policisë Vlorë, Elidon Çela ka dhënë detaje të reja mbi vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e 7 majit në fshatin Qafë Gjashtë, në Sarandë.

Në një konferencë për mediat, Çela shpjegoi se si rezultat i veprimeve hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhjes së dinamikës së ngjarjes. Ndërsa është shoqëruar njëri prej të plagosurve nga përplasja me armë.

“Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë i mundur shoqërimi i shtetasit K.V i cili po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ky shtetas më pas do t’i nënshtrohet procedurave penale. Nga hetimet rezultoi se shtetasit L.T, K.V, M.A dhe E.SH kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë  drejtuar në tavolinën ku ndodhej shtetasi T.M i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm, duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta.

Gjatë konfliktit të dhunshëm rezulton se viktima R.I ka marrë një zjarri automatik dhe qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt. Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi L.T ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit R.I i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Gjithashtu, gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi K.V.

Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi H. I., ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve”, u shpreh drejtori i Policisë Vlorë.

Çela theksoi më tej se gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi L. T.

“Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit: L. T., 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
I. C., 40 vjeç, E. M., 19 vjeç, K. V., 31 vjeç, M. A., 22 vjeç dhe E. Sh., 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Si dhe u procedua penalisht shtetasi H. I. (Hajredin Ismaili) 60 vjeç, vëllai i viktimës
“, tha Çela.

Drejtor i drejtorisë së Policisë Vlorë, Elidon Çela shtoi se vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.

Rexhep Ismaili, i njohur në zonë si pronar i një karburanti dhe i lokalit “Vëllezërit Ismaili”, mbeti i vrarë brenda ambientit të biznesit të tij pas një konflikti të dhunshëm që përfshiu disa persona. Sipas informacioneve nga grupi hetimor, ngjarja ka nisur rreth orës 21:28, kur një grup prej rreth 10 personash kanë mbërritur në lokalin e 66-vjeçarit. Gazetarja Afrovita Hysja raporton se dyshohet se ata kishin një konflikt të mëparshëm me një të ri nga zona, për çështje pronësie.

Në momentin e ngjarjes, personi me të cilin kishte nisur konflikti ndodhej në verandën e lokalit, së bashku me Rexhep Ismailin dhe persona të tjerë.

Në kulmin e konfliktit, Rexhep Ismaili dyshohet se është futur në brendësi të lokalit dhe më pas ka dalë me një armë zjarri tip automatik AK-47, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit. Në atë moment, është kundërpërgjigjur me armë zjarri edhe pala tjetër, ku një plumb nga pistoleta ka goditur 66-vjeçarin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.

Pas të shtënave, autorët janë larguar me shpejtësi nga zona. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një automjet luksoz tip “Audi Q8”, i cili dyshohet se është përdorur nga personat e përfshirë në konflikt.

Për këtë aryse, drejtori i Policisë së Vlorës ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke “dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme. Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët“.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme