Vrasja e Ardian Nikulajt, Gjykata e Lezhës rrëzon kërkesën e të pandehurit portugez për lirim

I marrë i pandehur dhe i kaluar për gjykim themeli për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në muajin prill të vitit 2023 në Shëngjin, portugezi Ruben Saraiva kërkoi sërish lirinë në Gjykatën e Lezhës.
Nën masa të rrepta sigurie, seanca gjyqësore u zhvillua këtë të enjte. Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Lurim Bulica rrëzoi kërkesën e portugezit dhe vendosi që ai të qëndrojë në burg.
Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor 2023 pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.
Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgimin e Tiranës dhe po përballet me drejtësinë shqiptare për akuzën “vrasja për gjakmarrje”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtja pa leje”, ndërsa në vazhdimësi e ka mohuar që të ketë lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt.
Për krimin, të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan, si dhe i dyshuari Edmond Haxhia, si organizator dhe porositës i vrasjes së dyshuar me motiv gjakmarrjen.
Edhe ndaj tyre është marrë vendimi nga Gjykata e Londrës dhe pritet të ekstradohen në Shqipëri brenda pak javësh.
Gazetar: Elvis Hila
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



