Vrasja e efektivit gjatë një operacioni në Maliq, Rama: Do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”
Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës, do të shpallet Dëshmor i Atdheut. Këtë e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku i shprehu ngushëllimet familjes së të ndjerit.
“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj“, tha Rama.
Një efektiv i forcës “Shqiponja”, 34-vjeçari Enea Mekolli, mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i bëri thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Mekollin dhe plagosur një tjetër punonjës policie, 36-vjeçarin E.A.
Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua. I kërkuari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vendngjarje u nis edhe helikopteri i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




