Vrasja e efektivit në Maliqi, Koçiu: Sulmet ndaj policisë, të papranueshme. Drejtësia do të veprojë me gjithë forcën e ligjit

Aktualitet | 5 muaj më parë

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas vrasjes së efektivit të Forcave të Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, gjatë një operacioni policor në Maliq.

Koçiu e cilësoi ngjarjen si një humbje të madhe për Policinë e Shtetit dhe institucionet e sigurisë në vend, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të ndjerë.

“Humbja e jetës së efektivit të Forcave të Posaçme ‘Shqiponja’, Enea Mekolli, në krye të detyrës gjatë operacionit policor në Maliq, është një ngjarje shumë e rëndë dhe një humbje e madhe për Policinë e Shtetit dhe institucionet e sigurisë në vend. Sulme të tilla ndaj punonjësve të policisë janë të papranueshme dhe përbëjnë një cenim të drejtpërdrejtë të rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve, ndaj drejtësia do të përgjigjet me të gjithë forcën e ligjit”, u shpreh Koçiu.

Ajo i shprehu ngushëllimet familjes së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, kolegëve të tij dhe gjithë trupës së Policisë së Shtetit, ndërsa i uroi shërim të shpejtë efektivit Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dëshmorit Enea Mekolli, kolegëve të tij dhe gjithë trupës së Policisë së Shtetit.

Njëkohësisht, i urojmë shërim të plotë dhe sa më të shpejtë efektivit Edison Adri, i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor”, shkruan Koçiu.

Ngjarja ndodhi në zonën e Lozhanit, në Maliq, ku forcat e policisë po zhvillonin një operacion për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Sipas të dhënave paraprake, gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, efektivët i bënë thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj tyre.

Si pasojë e të shtënave humbi jetën efektivi 34-vjeçar Enea Mekolli, ndërsa u plagos punonjësi i policisë Edison Adri, 36 vjeç. Forcat e rendit iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u vu në pranga.

Violand Braçellari ishte shpallur në kërkim dhe ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme