Vrasja e Ismail Haniyeh në Teheran, mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po takohet sot në Nju Jork për një seancë urgjente, pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran.
Disa diplomatë deklaruan se takimi është kërkuar nga Irani dhe është mbështetur nga Kina, Rusia dhe Algjeria. Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e nisi fjalën e tij duke folur për vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Ai tha se Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e dënon ashpër vrasjen. Kina është thellësisht e shqetësuar për përkeqësimin e trazirave në rajon dhe çfarë mund të shkaktojë, thotë ai.
Përfaqësuesi tha se mjetet ushtarake nuk ofrojnë “zgjidhje” dhe “do të çojnë vetëm në një krizë më të madhe”. Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur pas vrasjes në shënjestër të liderit politik të grupit islamik palestinez Hamas.
Irani dhe Hamasi e kanë kërcënuar Izraelin me hakmarrje. Qeveria izraelite nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Linjat ajrore anulojnë fluturimet
Konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme e ka lënë rajonin me një listë në rritje të fluturimeve të anuluara. United, Delta dhe British Airways pritet të pezullojnë fluturimet për në Tel Aviv duke filluar të mërkurën në mbrëmje.
Kjo pason një mori linjash ajrore që anuluan fluturimet për në Bejrut në ditët e fundit. Aegean Airlines e Greqisë dhe Condor e Gjermanisë anuluan fluturimet për në Bejrut të martën. Dhe Air France dhe Lufthansa njoftuan anulimin e fluturimeve për në Bejrut të hënën.
SHBA paralajmëron qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Liban
Për shkak të përshkallëzimeve të fundit në rajon, SHBA ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët e saj të mërkurën, duke u kërkuar atyre që të shmangin udhëtimet në Liban.
“Mos udhëtoni në Liban për shkak të tensioneve në rritje midis Hezbollahut dhe Izraelit”, thuhet në paralajmërimin e udhëtimit.
“Nëse jeni në Liban, përgatituni të strehoheni në ndonjë vend nëse situata përkeqësohet.”
Paralajmërimi u bën thirrje qytetarëve amerikanë që janë ende në Liban, veçanërisht në Libanin jugor pranë kufirit me Sirinë ose në vendbanimet e refugjatëve, që të largohen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




