Vrasja e Nasrallahut, Izraeli i kërkon ndihmë SHBA-së: Pengo Iranin të mos na sulmojë

Izraeli i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të marrë masa për të penguar Iranin nga nisja e një sulmi si përgjigje ndaj vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe gjeneralit të Gardës Revolucionare Islamike.
Zyrtarët amerikanë dhe ata izraelitë kanë deklaruar se Uashingtoni tani duhet të punojë për një zgjidhje diplomatike për të parandaluar një pushtim tokësor izraelit në Liban dhe përfshirjen iraniane në konfliktin e vazhdueshëm.
Pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran në fillim të këtij viti, për të cilën u fajësua Izraeli, Irani kërcënoi se do kundërpërgjigjej.
Për të penguar Iranin, SHBA nxituan forcat në Lindjen e Mesme që të përcillnin mesazhe diplomatike që paralajmëronin seriozisht Iranin kundër kryerjes së një sulmi të tillë.
Më herët, presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar pas eliminimit nga Izraeli të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Biden thekson në deklaratën e tij për mediat se Hassan Nasrallah dhe grupi terrorist që ai drejtonte, Hezbollah, ishin përgjegjës për vrasjen e qindra amerikanëve gjatë një sundimi terrori prej katër dekadash.
“Vdekja e tij nga një sulm ajror izraelit është një masë drejtësie për viktimat e tij të shumta, duke përfshirë mijëra amerikanë, izraelitë dhe civilë libanezë”, thekson Biden.
Presidenti amerikan nënvizon më tej se SHBA mbështesin të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten kundër grupeve terroriste si Hezbollahu, Hamasi dhe Houthi.
Ndërkaq, mediat libaneze raportojnë për një sulm të ri izraelit në periferi Dahiyeh të Bejrutit. IDF ka bërë të ditur se ka kryer sulme në bastionin e Hezbollahut në periferitë jugore të kryeqytetit libanez sot, që nga vrasja e kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




