Vrasja e Santiago Malkos, dëshmon në GJKKO babai i Leonard Dukës

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca për Leonard Dukën dhe pesë të tjerë të akuzuar nga SPAK për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në 2019 në Tiranë.
Babai i Leonard Dukës, Muhamet Duka, ka dëshmuar para trupës gjykuese duke mohuar të ketë pasur konflikte me viktimën.
“Nuk kam pasur konflikt personal me Santiago Malkon. Leonard dhe Erlis Duka nuk kanë pasur konflikt me Santiago Malkon. Ervis Martinajn nuk e njoh. Me këtë shtetas djemtë e mi në dijeninë time s’kanë pasur asnjë konflikt,” deklaroi Duka.
Ai tha se djemtë e tij merreshin me bizneset e tyre dhe nuk kishte marrëdhënie me disa prej të pandehurve.
“Aleksandër Maxhaku është nipi im nga motra, por kam 6 vjet që nuk e takoj dhe nuk di ku ndodhet. Dritan Agaj është i njohur për ne, pasi një mbesa jonë është e martuar me të. Oltion Logën e njoh si fytyrë, por nuk di me kë shoqërohej. Fatmir Doçajn dhe Blendi Tetën i kam dëgjuar vetëm në media dhe nuk i njoh personalisht,” tha Duka.
Pasi dëgjoi dëshminë e Dukës, trupa e GJKKO-së vendosi ta shtynte seancën për më 9 korrik, ora 10:00, ku SPAK-u pritet të japë edhe konkluzionet penale dhe më pas pretencën për të pandehurit.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




