Walid Regragui, perfeksionisti që bashkoi “shpirtrat” e Marokut

Uncategorized | 4 vite më parë

Pas çdo ekipi surprizë fshihen shumë histori që i japin edhe më shumë vlerë një kompeticioni që luhet një herë në katër vite. E tillë është edhe historia që qëndron pas komisarit teknik të Marokut, Walid Regragui.

47-vjeçari ka lindur në një qytezë pranë Parisit, në Corbeil-Essonnes, dhe e vetmja lidhje me Markun në vogëli ishin pushimet verore që i kalonte pranë të afërme.

Por tani ai konsiderohet si lideri ideal për të drejtuar një ekip që para këtij kompeticioni shumë pak do t’i kishin besuar. 47-vjeçari, me një karrierë si futbollist me ekipet modeste të Francës, ka arritur që të bashkojë një kombëtare të cilës 14 prej 26 lojtarëve nuk i kanë lindur në Marok.

Si të mos mungonte ky fakt Regragui kishte dhe një pengesë tjetër për të kapërcyer nëse donte të bënte mirë në Botëror. Bëhet fjalë për kohën e pakët në dispozicion për të përgatitur ekipin pasi u emërua si komisar teknik i Marokut më 31 gusht të këtij viti.

“Përpara Kupës së Botës patëm shumë probleme mes djemve që kishin lindur në Europë dhe atyre që kishin lindur në Marok. Shumë gazetarë më thanë se përse të mos luanim vetëm me djemtë e lindur këtu”, tha 47-vjeçari pak minuta pasi mundi Spanjën duke pranuar për herë të parë në publik se Maroku vuante shumë nga kjo çështje.

“Ne kemi treguar se çdo maroken është maroken. Kur vijnë në kombëtare me pasaportat e tyre ata janë gati të vdesin për vendin e tyre. Unë si trajner e ushqej këtë ndjenjë edhe pse kam lindur në Francë. Ne kemi mundur që të shfrytëzojmë mjaft mirë faktin se disa prej futbollistëve tanë kanë lindur në Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Francë apo Itali. Secili prej këtyre vendeve ka një kulturë të vetën sportive dhe në jemi munduar që të krijojmë një përzierje ideale te Maroku”, tha trajneri 47-vjeçar.

Siç mund të dallohet pas çdo takimi nga festimet në rrugët e Europës kuptohet që diaspora e Marokut është e madhe. Deri më tani mendohet se janë rreth 5 milionë maroken të cilët jetojnë në kontinentin e vjetër. Rreth 1.1 milionë prej tyre jetojnë në Francë, por komuniteti maroken është mjaft prezent edhe në Spanjë, Itali, Belgjikë dhe Holandë.

Themelet e këtij suksesi janë hedhur që në 2014, vit kur drejtuesit e Federatës Marokene të Futbollit kanë nisur që të rikthejnë në atdhe lojtarët e talentuar, të cilët I kanë bindur të përfaqësojnë vendin e origjinës dhe jo vendet përkatëse ku kishin lindur. Njëri nga sukseset më të mëdha të kësaj politike ishte sulmuesi i krahut i Chelsea-t, Hakim Ziyech. I lindur në Dronten të Holandës ai në 2015 ishte shumë pranë debutimit me “Tulipanët”, por takimi me krerët e Federatës bëri që të zgjidhte një tjetër rrugë.

Regragui në seminarin e mbajtur nga Arteta

Pak orë përpara duelit me Francën, Walid Regragui-t i doli një fotografi ku shikohej teksa merrte pjesë në një seminar të organizuar nga Mikel Arteta.  Trajneri i Marokut ishte në një telefonatë në platformën “Zoom” teksa menaxheri i Arseanl-it i shpjegonte si kishte mundur të mposhte Manchester City-n.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme