Wang Yi: Kina është e gatshme të bëhet partnere e një “Britanie globale”

Botë | 5 vite më parë

Kina është e gatshme të bëhet partnere e një “Britanie globale”, tha anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi në një bisedë telefonike të zhvilluar të enjten me homologun e tij britanik Dominik Raab.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Britanisë kanë një bazë të shëndoshë dhe forcë të madhe zhvillimi, ndërkohë, Kina i kushton gjithmonë vëmendje statusit dhe rolit ndërkombëtar të Britanisë, vuri në dukje kryediplomati kinez.

Duke pranuar ndryshimet që kanë dy vendet në histori, kulturë, fazat e zhvillimit dhe qëndrimet e tyre, Wang Yi theksoi rëndësinë e respektit të ndërsjellë e të dialogut të barabartë për të shtuar mirëkuptimin, hequr dyshimet, qartësuar faktet dhe dalluar të drejtën nga e gabuara.

Gjatë bisedës telefonike me homologun britanik, Wang gjithashtu shtjelloi qëndrimet e Kinës mbi çështjet e Hong-Kongut dhe të Xinjiang-ut, duke nënvizuar se “Një vend, dy sisteme” është politikë bazë kombëtare ku Kina do të këmbëngulë në mënyrë të pandërprerë dhe të palëkundur.

Çështjet e Xinjiang-ut kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit të dhunshëm, separatizmit dhe radikalizmit, vuri në dukje ministri i Jashtëm kinez, duke shtuar se “pala kineze mirëpret vizitorët e huaj ta vizitojnë Xinjiang-un për të njohur nga afër situatën reale, por nuk pranon të ashtuquajturat ‘hetime’ me prezumim të fajit.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme