Xhihadistët ekzekutojnë 40 civilë në Mali

Rreth 40 civilë u vranë këtë javë në Mali nga anëtarët e një organizate të lidhur me Shtetin Islamik në pjesën veriore të vendit afrikan, që është kthyer në një skenë përleshjesh mes xhihadistëve.
“Ne kemi të paktën dyzet civilë të vrarë në tre lokacione në periferi të Tessi, disa dhjetëra kilometra nga kufiri me Burkina Fason dhe Nigerin”, tha një përfaqësues politik në zonë për AFP, në kushte anonimiteti.
“Viktimat ishin civilë, të cilët u akuzuan nga një organizatë për bashkëpunim me një grup tjetër të xhihadistëve”, sipas një burimi, shkruan AFP.
Dy zyrtarë nga Mali konfirmuan shkallën e masakrave pasi biseduan me të mbijetuarit dhe hetuan situatën në terren.
Masakrat ndodhën në të ashtuquajturin rajon kufitar transnacional, një nga vatrat e dhunës që trondit Sahelin.
Në zonë veprojnë shteti Islamik në Sahara (ISS) dhe Grupi Mbështetës për Islamin dhe Myslimanët (UIM), një aleancë organizatash që i përkasin mjegullnajës së Al Kaedës. Përveç sulmit ndaj ushtrisë së Malit dhe forcave të huaja, dy grupimet janë përfshirë që nga viti 2020 në një luftë mes tyre për kontrollin e territorit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



