Xhiro e Italisë në RTSH, sot zhvillohet etapa e tretë dhe e fundit në tokën shqiptare

Pas Mads Pedersen në etapën e parë Durrës-Tiranë dhe Xhoshua Terling në garën e kronometrit individual Tiranë-Tiranë, Xhiro e Italisë 2025 sot pret të shpallë fituesin e tretë të edicionit 108-të. Bëhet fjalë etapën Vlorë-Vlorë e gjatë 160 kilometra, e cila do të mbyllë dhe fazën e parë të Xhiros së Italisë në Shqipëri, etapë që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH Sport, për të rinisur gjithçka të martën në zonën e Puljas.
Një etapë e cila klasifikohet me tre yje për nga shkalla e vështirësisë. Bëhet fjalë për një etapë mesatare malore, që do ta çojë grupin e pedaluesve në mbi 1000 metra lartësi. Aty do të jetë dhe Çmimi i Madh i Malit i Kategorisë së Dytë. Pedalimi i 160 kilometrave, pra nga Vlora në Vlorë, me 2800 metra ndryshim lartësie, është një unazë që përshkon bregdetin shqiptar në drejtim të jugut. Me një ngjitje drejt veri-perëndimit duke kaluar në zona si Gjormi, Himara, apo në Qafën e Llogarasë.
Etapa do të nisë me një pjerrësi të lehtë dhe do të arrijë në ngjitjen e parë rreth kilometrit të 60-të. Do të jenë më pas 40 kilometra përgjatë bregdetit deri në Çmimin e Madh të Malit të kategorisë së dytë në Qafën e Llogarasë. Në fund zbritja e pjerrët drejt Vlorës dhe tre kilometrat e fundit në një terren fushor.
Diskutimi tashmë është nëse do ta mbajë fanellën rozë Primoz Rogliç, që e fitoi të shtunën në garën e kronometrit. Mads Pedersen është përsëri aty për të përfituar. E Vlora mbyll ditët shqiptare të Xhiros së Italisë 2025 me një transmetim të jashtëzakonshëm nga Radio Televizioni Shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




