Zbardhen detaje të reja nga vdekja misterioze e 23-vjeçarit në Ulëz, Renis Dobra

Kronikë | 1 vit më parë

Një pjesë e dinamikës së ngjarjes së rëndë në Ulëz, ku 23-vjeçari Renis Dobra u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit, ka nisur të zbardhet. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se i riu, teksa udhëtonte i vetëm me makinë, është ndjekur nga një tjetër mjet, duke filluar nga qyteti i Burrelit deri në fshatin Madhesh të Ulëzës.

Sipas gazetarit të RTSH-24, hetuesit kanë sekuestruar disa kamera sigurie brenda qytetit të Burrelit, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e mjetit ndjekës. Megjithatë, sfida kryesore mbetet segmenti rrugor ku ka vijuar ndjekja, pasi në atë zonë mungojnë kamerat, duke vështirësuar ndjeshëm gjurmimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Dyshohet se Renis Dobra është rrëmbyer, dhunuar dhe më pas është hedhur në një rrëpirë, së bashku me makinën e tij. Trupi i tij i pajetë u gjet në një zonë me shkurre, rreth 10 metra nga bregu i liqenit. Ndërkohë, automjeti i tij ndodhet ende në ujë dhe po kërkohet intensivisht nga shërbimet e policisë.

Renis Dobra banonte në fshatin Zenisht të Burrelit dhe, sipas të dhënave, nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë. Familjarët e tij janë marrë në pyetje, por kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për konflikte apo kërcënime të mundshme ndaj të riut.

Motivet e këtij rrëmbimi dhe vrasjeje mbeten mister, si dhe dinamika e plotë e krimit. Hetimi është në vazhdim për të zbardhur tërësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme