Zbrazën llogaritë e klientëve, prokuroria lëshon 12 masa sigurimi për punonjësit e një banke, arrestohen drejtori dhe zëvendësi i tij

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 12 masa sigurimi për punonjësit e një banke në Tiranë, pasi akuzohen se kanë zbrazur llogaritë e klientëve. Drejtori dhe zëvendësi i tij janë vënë në pranga me kërkesë të prokurorisë dhe vendim të Gjykatës.
Sipas burimeve zyrtare, hetimi nisi pas kallëzimit të një klienti, i cili denoncoi se nga tre llogaritë e tij ishin tërhequr pa autorizim rreth 500 mijë lekë. Më pas, edhe vetë banka raportoi një rast të ngjashëm, ku një kliente tjetër rezultonte e dëmtuar nga tërheqje të paautorizuara fondesh.
Sipas Prokurorisë, hetimet zbuluan se ishin kryer rreth 30 tërheqje pa mandat, si edhe ishin hapur dhe mbyllur pa leje disa depozita në euro dhe dollarë.
Dy drejtuesit e degës, drejtori dhe zëvendësdrejtori, janë vendosur në masën e sigurisë “Arrest në burg”. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë shfrytëzuar pozicionin dhe aksesin në sistemin bankar për të përvetësuar para të klientëve përmes mandateve të falsifikuara, ndërhyrjeve të paautorizuara në sistem, konvertimeve valutore dhe manipulimeve me depozitat.
Gjashtë punonjës të tjerë, me detyra si arkëtarë, supervizorë dhe shërbim klienti, janë lënë në “Arrest në shtëpi”, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar në realizimin e transaksioneve të paligjshme.
Ndërkohë, katër punonjës të tjerë janë pezulluar nga detyra, pasi sipas Prokurorisë kanë kryer veprime bankare në mungesë të dokumentacionit të nevojshëm, duke krijuar kushtet që skema e dyshuar të funksiononte.
Sipas organit të akuzës, skema funksiononte në mënyrë të koordinuar: punonjësit me akses te llogaritë e klientëve kryenin ndërhyrjet dhe manipulimet në sistem, ndërsa veprimet verifikoheshin dhe autorizoheshin nga nivelet drejtuese të degës.
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”. Hetimet vijojnë për të përcaktuar dëmin e plotë financiar dhe përgjegjësinë e secilit prej të përfshirëve.
NJOFTIMI I PROKURORISË
Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u dhanë 12 masa sigurimi, ‘Arrest në burg’, ‘Arrest në shtëpi’ si dhe ‘Pezullimi i shërbimit të një detyre a shërbimit publik’ ndaj 12 shtetasve të akuzuar për veprat penale ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’ parashikuar nga nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.7108 të vitit 2025, nisën pas denoncimit të shtetasit I.O., se nga tre llogaritë e tij në *** Bank janë tërhequr shuma me një vlerë prej 500.000 lekësh nga persona të pa autorizuar. Ndërkohë që një tjetër kallëzim u krye nga vetë banka, e cila denoncoi rastin për tërheqjen e shumave pa autorizim ndaj klientes A.K në të njëjtën degë.
Nga hetimet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u evidentua se nga klientët e bankës, janë kryer 30 tërheqje pa mandat si dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim disa depozita me afat në euro dhe dollarë.
Në rastin konkret nga hetimet rezultoi se ndaj personave në hetim, shtetasit E.Q., I.D., E.K., B.M., A.K., G.H., G.B., D.D., O.K., R.S. B.N. dhe Zh.B. ekziston dyshim i arsyeshëm se janë autorë të mundshëm të veprave penale penale ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’ parashikuar nga nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal.
Shtetasit A.K. dhe G.H., zv.drejtor dhe drejtor i degës, ndaj të cilëve u kërkua masa e siguisë ‘Arrest në burg’, rezultoi se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar, ata kanë përvetësuar shumat monetare të dy kilentëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, pa mandat, ndëhyrjes së kundërligjshme në sistem nëpërmjet konvertimeve valutore, hapje/mbyllje depozitash si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim. Kjo skemë vjedhjeje e koordinuar krijon dyshim të arsyeshëm mbi konsumimin e veprës penale për të cilën janë në hetim. Këto veprime ata i kryen në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të bankës, në cilësinë e arkëtarit, supervizorit si dhe të shërbimit ndaj klientit.
Masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ u vendos për shtetasit G.B., D.D., O.K., R.S., B.N., dhe Zh.B., për kryerjen në mënyrë të përsëritur për veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin funksional në sistemin bankar, ata përvetësuan shuma monetare të dy klientëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false apo ndërhyrjes në sistem pa autorizimin e tij.
Kjo skemë përfitimi e realizuar nga punonjësit e bankës sipas funksionit, funksiononte sipas mekanizmit: arkëtar/shërbim klienti nëpërmjet aksesit eskluziv mbi fondet e klientit kryhen ndërhyrje dhe manipuluan sistemin bankar, veprime të cilat verifikohen dhe autorizohen nga niveli drejtues në hierarki, përgjegjës operacional dhe drejtor dege, të cilët kanë detyrimin për verifimin, kontrollin dhe autorizimin final për kryerjen e transaksionit bankar.
Në lidhje me shtetasit e tjerë në hetim, E.Q., I.D., E.K. dhe B.M., u kërkua dhe pranua masa e sigurimit personal ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për veprën penale ‘Falsifikimi kompjuterik’. Nga hetimi rezultoi se këta shtetas kanë kryer veprime dhe transaksione bankare në kushtet kur mungonte kontrata në një ose disa raste duke krijuar premisat për ushtrimin e veprimtarisë së jashtëligjshme të subjekteve të tjerë të sipërcituar të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë vjedhur pasurinë
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




