Zbulime të rralla në Durrës, objektet e antikitetit të vonë hedhin dritë mbi jetën administrative dhe sociale të qytetit

Kulturë | 1 vit më parë

Gjatë fushatave arkeologjike në Forumin Rrethor të Durrësit, të zhvilluara nga viti 2021 deri në 2024, janë zbuluar disa objekte metalike me vlerë të të madhe historike: një fibul, dy vathë, një temthore dhe dy vula.

Pas restaurimit të tyre, ato sjellin dëshmi të reja për jetën sociale dhe administrative të qytetit për periudhën qytetare ilire, shekujt IV–I para erës sonë, si dhe për shekujt V–VI pas erës sonë.

“Vula e Damosisë është një objekt i cili përveçse provon një gjurmë të prodhimit të tjegullave në qytet gjatë periudhës qytetare ilire para erës sonë, nga ana tjetër, ruajtja e këtij objekti në një kontekst të antikitetit të vonë është një histori tjetër,” tregon arkeologia Brikena Shkodrani.

Një shembull domethënës është vula prej plumbi, e cila ruan negativin e simbolit të lopës duke e pirë viçi, tipik i disa prerjeve monetare te Dyrrachium-it nga viti 375 para Krishtit deri në vitin 60 para Krishtit.

Momenti më i rëndësishëm në këtë seri prerjesh monetare konsiderohen vitet 280–270 para Kr., kur mbi to, krahas inicialeve të qytetit (DYR), shfaqet emri i mbretit ilir Monun. Replikimi i këtij simboli në një vulë prej plumbi — i konsideruar rast i rrallë dhe me karakter ceremonial — e bën këtë shembullin e parë të njohur arkeologjikisht të praktikës së vulosjes së papiruseve ose pergameneve nga një mbret ilir. Ajo është dëshmuar si një praktikë e hershme edhe në burimet e autorëve antikë, përmes aleancave politike dhe ushtarake të mbretërve ilirë me fuqitë më të mëdha të kohës, si Republika Romake, Mbretëria e Maqedonisë, Mbretëria e Epirit etj.

Ndër gjetjet më të veçanta është gjithashtu një fibulë zoomorfike, e cila, përveç funksionit praktik për kapjen e veshjes, mbartte edhe vlerë identitare, simbolike dhe kulturore, të lidhura me statusin apo rangun e mbajtësit. Përdorimi tipik i këtij objekti lidhet me funksionarë provincialë të qytetit, si pjesë e Perandorisë Romake (shek. III–V pas Kr.).

Po ashtu, një vulë prej plumbi me simbolin “delta” lidhet me institucionin e bashkësisë së polisit të Durrësit (Damosia). E gjetur shpesh në tjegullat e prodhuara në Dyrrachium-in antik, kjo shenjë lidhte produktin me pronësinë dhe kontrollin e Damosisë, duke dëshmuar për ekzistencën e një administrate të organizuar që në kohët ilire.

“Gjetja e këtij elementi është e rëndësishme për arsyen se dëshmon për të parën herë aplikimin e vulosjes së letërkëmbimeve të rëndësishme të titullarëve të qytetit,” shton arkeologia.

Objektet janë restauruar me kujdes, duke zbuluar detaje të reja përfshirë gjurmë të një veshjeje prej mëndafshi.

“Në këtë grumbull objektesh, përveç atyre që shihen ka edhe diçka që nuk shihet apo shihet në mikroskop. Pikërisht në këtë fragment të vogël ne gjejmë gjurmë tekstili, që sipas strukturës duhet të jetë një veshje prej mëndafshi. Pra, personi që është varrosur bashkë me këto objekte ka qenë i veshur me një veshje prej mëndafshi,” thotë restauratori Frederik Stamati.

Vendgjetja e këtyre objekteve në Forumin Rrethor, në një kontekst shumë më të vonë në kohë, në shekullin VI pas Kr., tregon mënyrën sesi është ndërhyrë për transformimet antike të vona në qendrën urbane të qytetit brenda hapësirës shumëfunksionale të Forumit Rrethor, mbase qëllimshëm për të koleksionuar një element të memories historike të qytetit.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme