Zelensky dhe Trump do të takohen në Nju Jork: Mund të çojë në ndryshime të mëdha

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se do të takohet me homologun e tij amerikan, Donald Trump, në Nju Jork, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zelensky përmes një postimi në platformën X, pas një bisede telefonike me presidentin amerikan.
“Sapo fola me Trumpin. Një bisedë e rëndësishme, gjatë së cilës diskutuam shumë çështje. Ramë dakord të takohemi në Nju Jork dhe ky takim mund të çojë në ndryshime të mëdha. Ekziston një vrull diplomatik”, shkroi Zelensky.
Hapja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të zhvillohet në Nju Jork javën e ardhshme, ku pritet të mblidhen liderë nga vende të ndryshme të botës.
Takimi mes Zelenskyt dhe Trumpit vjen pas vizitës në Kiev, më 6 shtator, të Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e ndërmjetësuesve amerikanë në Ukrainë dhe shihet si një nga zhvillimet që i paraprin takimit të ardhshëm në Nju Jork.
Sipas Zelenskyt, gjatë kontakteve të fundit janë shqyrtuar me kujdes “detajet më të rëndësishme” të situatës, ndërsa ndërmjetësuesit amerikanë patën mundësinë “ta shihnin situatën në Ukrainë me sytë e tyre”.
“Procesi i paqes është përparësia jonë më e lartë”, theksoi presidenti ukrainas.
Takimi i ardhshëm në Nju Jork pritet të jetë një tjetër hap në përpjekjet diplomatike për luftën në Ukrainë dhe në diskutimet mes Kievit dhe Uashingtonit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




