Zelensky i gatshëm për takim me Putinin në Samitin e G20 në Miami, ndërsa Kremlini ende pa vendim për pjesëmarrjen e Presidentit rus

Europë | 2 muaj më parë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Samitin e G20 që pritet të mbahet në Miami në dhjetor, nëse të dy udhëheqësit do të ftohen zyrtarisht.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Zelensky u shpreh se “duhet të takohemi, të flasim dhe të marrim vendime”, duke lënë të hapur mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë në margjinat e samitit.

Nga ana tjetër, Kremlini nuk ka marrë ende një vendim për pjesëmarrjen e Presidentit Putin në G20. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha për Interfax se “nuk e dimë ende nëse do të shkojmë në Miami”, ndërsa këshilltari i politikës së jashtme, Yuri Ushakov, shtoi se çështja e pjesëmarrjes nuk është diskutuar ende në Moskë.

Peskov përsëriti qëndrimin e njohur të Moskës se nëse presidenti ukrainas dëshiron një takim me Putinin, ai duhet të vijë në Moskë.

Megjithatë, deklaratat e Zelensky e vendosin në qendër të vëmendjes mundësinë e një dialogu të drejtpërdrejtë mes dy liderëve, nëse samiti i G20-ës do të sjellë të dy palët në një tryezë.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur pjesëmarrja e Rusisë në samitin e Miami-t mbetet e paqartë, ndërsa Zelensky ka shprehur gatishmërinë për të shkuar dhe për të kërkuar një takim me Putinin, nëse ai do të jetë i pranishëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme