Zelensky: Rusia bën paqe vetëm me forcë, Trumpi ta detyrojë Moskën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky sapo ka zhvilluar bisedime me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg në Washington DC, përpara asaj që sipas Zelenskyt sot do të jetë një takim “shumë serioz” me presidentin amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë.
“Rusia mund të detyrohet të bëjë paqe vetëm përmes forcës, dhe Presidenti Trump e ka atë forcë” tha Zelensky në një postim në mediat sociale duke falënderuar Kellogg-un për takimin.
Ai shton se Ukraina është “gati për të vazhduar punën me përpjekje maksimale për t’i dhënë fund luftës dhe për të siguruar siguri të besueshme”.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka në mënyrë që paqja të vijë me të vërtetë. Kur paqja diskutohet për një vend në Evropë, do të thotë paqe për të gjithë Evropën”, shkruan Zelensky.
Më herët, ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha ka deklaruar se Kievi nuk do të heqë dorë nga territoret e saj.
I pyetur në një takim në Kiev në lidhje me qëndrimin e Donald Trump se Ukraina “s’kthehet dot në Krime”, Sybiha tha se “presidenti ukrainas shkoi në Uashington si gjithmonë, me pozicionin e fortë të koordinuar me të gjithë aleatët: Krimea është pjesë e Ukrainës”.
Ai tha se bisedimet në Uashington ishin një moment vendimtar që mund të afronte “një paqe të drejtë” falë përpjekjeve diplomatike.
Ndërkaq në Washington DC ka mbërritur edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili do t’i bashkohet Zelenskyt dhe udhëheqësve të tjerë evropianë në takimin me Donald Trump ditën e sotme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





