Zelensky: Ukraina në gjendje emergjente në sektorin e energjisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se vendi i tij po siguron furnizim të besueshëm me gaz “pavarësisht të gjitha sfidave”, ndërsa vazhdon të përballet me një gjendje emergjence në sektorin e energjisë.
Pas takimit me kryeministren Yulia Svyrydenko dhe Sergii Koretskyi, CEO i kompanisë kombëtare të naftës dhe gazit Naftogaz, Zelensky shkroi në ‘X’ se bisedimet filluan duke diskutuar pasojat e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit, si dhe procesin e rikuperimit të objekteve të infrastrukturës së gazit.
“Ne po sigurojmë furnizim të besueshëm me gaz për ukrainasit pavarësisht të gjitha sfidave. Vazhdojmë të importojmë vëllime të mjaftueshme,” tha Zelensky, duke shtuar se rrugët e furnizimit janë diversifikuar ndjeshëm.
Ai theksoi se është thelbësore të sigurohet rikuperimi dhe zëvendësimi i pajisjeve – të gjitha detyrat përkatëse janë dhënë.
Presidenti falënderoi të gjithë partnerët që po mbështesin dhe ndihmojnë Ukrainën.
Zelensky shpalli gjendjen e emergjencës në sektorin e energjisë në fillim të këtij muaji për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, të cilat kanë lënë qindra mijëra banorë të Kievit pa energji elektrike.
Më pas ai urdhëroi përshpejtimin e importeve të energjisë elektrike dhe sigurimin e pajisjeve shtesë nga partnerët e Ukrainës.
“Dje u arrit një marrëveshje tjetër me Bankën Evropiane të Investimeve për 50 milionë euro, dhe janë pikërisht EIB dhe EBRD ato që po ofrojnë pjesën më të madhe të mbështetjes financiare,” tha Zelensky.
Ai shtoi se Koretskyi raportoi për zbatimin e marrëveshjeve afatgjata me partnerët në Evropë, si dhe për disa projekte strategjike zhvillimi në sektorin e naftës dhe gazit.
“Naftogaz po importon gjithashtu energji elektrike, duke mbuluar më shumë se 50% të nevojave të veta për konsum, duke mbështetur kështu të gjithë sistemin,” shtoi ai.
Veçmas, kryeministrja Svyrydenko njoftoi në X se Ukraina ka marrë partinë e parë të pajisjeve energjetike nga Gjermania si pjesë e paketës së mbështetjes emergjente dimërore, e cila është rritur së fundmi në 120 milionë euro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




