Zero emetime deri në 2050, hyn në fuqi ligji “Për performancën energjetike”, plan kombëtar për rinovimin e ndërtesave

Ka hyrë të martën në fuqi vendimi i Kuvendit për miratimin e ligjit “Për Performancën Energjetike të Ndërtesave”, një akt i rëndësishëm ligjor që synon promovimin dhe përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.
Ky ligj, i cili është botuar sot (8 korrik) në Fletoren Zyrtare, përafrohet pjesërisht me direktivën BE-së të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, që ka si qëllim final transformimin e ndërtesave ekzistuese në ndërtesa pa emetime deri në vitin 2050.
Qëllimi kryesor i ligjit është të adresojë impaktin mjedisor të ndërtesave, duke marrë parasysh kushtet klimatike, kërkesat për cilësinë e ambientit të brendshëm dhe nivelin e kostos optimale.
Objekti i tij përfshin përcaktimin e metodologjisë kombëtare për llogaritjen dhe vlerësimin e performancës energjetike të ndërtesave; kërkesave minimale për performancën energjetike të ndërtesave të reja dhe atyre që do t’i nënshtrohen rinovimit të konsiderueshëm; rregullave për shfrytëzimin e energjisë diellore, përmirësimin e infrastrukturës për lëvizshmëri të qëndrueshme, certifikimin e performancës energjetike dhe auditimin e sistemeve teknike.
Fusha e zbatimit dhe përjashtimet
Ligji do të zbatohet për të gjitha ndërtesat e reja dhe ndërtesat ekzistuese që do t’i nënshtrohen një rinovimi të konsiderueshëm, duke filluar nga faza e projektimit deri në pajisjen me leje shfrytëzimi.
Megjithatë, ligji parashikon edhe përjashtime të pjesshme ose të plota për kategori të caktuara ndërtesash, të cilat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret e përjashtimit përfshijnë:
Merita arkitekturore ose historike, nëse pajtueshmëria do të ndryshonte karakterin ose pamjen.
Tipologjia e përdorimit, kushtet teknike dhe funksionimi.
Kohëzgjatja e përdorimit.
Çështje të sigurisë kombëtare.
Ligji specifikon edhe një sërë termash thelbësorë, duke përfshirë:
“Cilësia e ambientit të brendshëm” që ka të bëjë me vlerësimin e kushteve që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e banorëve (temperaturë, lagështi, ventilim, ndotës).
“Ndërtesë pa emetime”, ku një ndërtesë me performancë shumë të lartë energjetike, që kërkon zero ose shumë pak energji, nuk gjeneron emetime të dioksidit të karbonit nga karburantet fosile dhe gjeneron zero ose shumë pak emetime operacionale të gazeve serrë.
“Niveli i kostos optimale” ku niveli i performancës energjetike që çon në koston më të ulët të mundshme përgjatë jetëgjatësisë ekonomike të supozuar të ndërtesës.
“Rinovim i konsiderueshëm” në rastet kur rinovimi ka më shumë se 25% e sipërfaqes së mbështjellëses së ndërtesës që i nënshtrohet rinovimit.
“Varfëri energjetike”, e cila lidhet me pamundësinë e një familjeje për të pasur akses në shërbimet thelbësore energjetike për një standard bazë jetese.
Plani Kombëtar për rinovimin e ndërtesave
Ligji parashikon hartimin e një Plani Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave, i cili do të jetë në përputhje me objektivat e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës. Ky plan do të përfshijë një pasqyrë të gjendjes aktuale të ndërtesave dhe barrierave ekzistuese; një udhërrëfyes me objektiva të matshëm deri në vitin 2050 për arritjen e neutralitetit klimatik dhe dekarbonizimin e stokut të ndërtesave; vlerat e lejuara të emetimeve të gazeve serrë dhe kërkesat për energjinë primare për ndërtesat pa emetime; standardet minimale të performancës energjetike për ndërtesat jorezidenciale; trajektoren kombëtare për rinovimin e stokut të ndërtesave të banimit.
Plani do t’i nënshtrohet konsultimit publik dhe do t’i dërgohet për opinion Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE). Ai do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të rishikohet të paktën çdo pesë vjet.
Standardet minimale të performancës energjetike për ndërtesat jorezidenciale
Ligji vendos standarde minimale të performancës energjetike për ndërtesat jorezidenciale, duke siguruar që ato të mos kalojnë pragun maksimal të përdorimit të energjisë primare ose përfundimtare. Këto pragu do të jenë: 16% nga viti 2030; 26% nga viti 2033.
Përputhshmëria do të kontrollohet në bazë të certifikatave të performancës energjetike. Ministria përgjegjëse për energjinë, në bashkëpunim me ministrinë e zhvillimit urban, do të përcaktojnë kritere për përjashtimin e ndërtesave të caktuara jorezidenciale, por duke garantuar përmirësime ekuivalente në pjesë të tjera të stokut.
Rinovimi progresiv i ndërtesave të banimit
Plani Kombëtar i Rinovimit do të përcaktojë gjithashtu një trajektore kombëtare për rinovimin progresiv të stokut të ndërtesave të banimit, me objektiva për vitet 2030, 2040 dhe 2050, duke synuar transformimin në ndërtesa pa emetime deri në vitin 2050. Kjo do të përfshijë identifikimin e numrit të ndërtesave që do të rinovohen çdo vit, me fokus te 43% e ndërtesave me performancën energjetike më të ulët.
Ky ligj shënon një hap të rëndësishëm për Shqipërinë drejt angazhimeve të saj mjedisore dhe integrimit me standardet evropiane në fushën e performancës energjetike të ndërtesave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



