Zgjedhjet në Francë pritet të shënojnë kthesë historike, pjesëmarrja më e lartë në 40 vite

Votuesit francezë po shkojnë në qendrat e votimit për raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të thirrura nga Presidenti Emmanuel Macron tre javë më parë, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Votimet e kësaj të diele (30 qershor) kanë dëshmuar një pjesëmarrje të lartë deri në mesditë, përkatësisht me 26 % të votuesve me të drejtë vote, më e larta në 40 vitet e fundit.
Mediat e huaja raportojnë për radhë të gjatë në qendrat e votimit. Kjo ishte veçanërisht e habitshme në kryeqytetin, Paris, ku pjesëmarrja në mesditë ishte 25.48% krahasuar me 12.8% në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 2022, një normë dy herë më e lartë.
“Ky është niveli më i lartë që nga zgjedhjet legjislative të vitit 1981,” tha Mathieu Gallard, drejtor kërkimi në institutin e sondazheve Ipsos.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të shënojë një pikë kthese historike, jo vetëm për Francën, por për Evropën dhe të ashtuquajturin Perëndim në përgjithësi.
Nocioni se një parti e ekstremit të djathtë mund të përfundojë në formimin e një qeverie në France, thuajse është e paimagjinueshme, por sot sondazhet e nxjerrin atë favorit për fitore.
Aleanca e Ansamblit të Presidentit Macron po dobësohet në sondazhe dhe mund të dalë e treta, pas RN dhe koalicionit të krahut të majtë “Fronti i Ri Kombëtar”. Vetëm kandidatët që arrijnë të fitojnë më shumë se 12.5% të votave do të kalojnë në raundin tjetër, që do të zhvillohet javën e ardhshme më 7 korrik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




