Zgjedhjet në Paris, “Exit Poll”-et paralajmërojnë fitore dërrmuese për socialistin Grégoire, mposhtet Dati

Europë | 7 muaj më parë

Kandidati i krahut të majtë, Emmanuel Grégoire, pritet të jetë kryebashkiaku i ri i Parisit. Sipas sondazheve të para pas daljes nga qendrat e votimit (exit poll), socialisti ka shënuar një fitore bindëse përballë rivales së tij nga radhët e republikanëve, Rachida Dati.

Të dhënat paraprake të publikuara nga televizioni publik France 2 tregojnë një avantazh të thellë për pasardhësin e Anne Hidalgo-s. Grégoire ka siguruar 53.1% të preferencave, duke lënë shumë pas rivalen e tij Dati, e cila ka mbetur në kuotën e 38.1%.

Triumf pa ndihmën e ekstremit të majtë

Ky sukses merr një vlerë edhe më të madhe politike për shkak të strategjisë së ndjekur nga kandidati fitues. Emmanuel Grégoire arriti të bindë parisienët pavarësisht se garoi i vetëm, duke refuzuar kategorikisht një aleancë me partinë e majtë radikale La France Insoumise.

Nga ana tjetër, humbja është një goditje e dyfishtë për bllokun e qendrës së djathtë, pasi Rachida Dati kishte siguruar në balotazh edhe aleancën dhe mbështetjen e forcave politike të Presidentit Emmanuel Macron.

Këto projeksione konfirmojnë mbajtjen e kryeqytetit francez nën drejtimin e socialistëve për një tjetër mandat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme