Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, 3 ditë afat për regjistrimin e partive politike

Kosovë | 6 muaj më parë

Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të detyruara që deri më 7 maj të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Ky obligim ligjor vlen për 53 partitë aktualisht të regjistruara, ndërsa nuk përfshin subjektet që synojnë të garojnë si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur. Sipas RTK-së, brenda të njëjtit afat, partitë duhet të deklarojnë edhe nëse do të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni.

Sipas rregullave të KQZ-së, një koalicion mund të formohet nga së paku dy parti politike, ndërsa pas certifikimit, asnjë subjekt nuk mund të tërhiqet nga koalicioni deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore.

Ndërkohë, periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit 2026 do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj dhe duke përfunduar më 7 qershor në orën 06:59.

Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim pritet të hidhet më 16 maj 2026, në përputhje me kalendarin zgjedhor të miratuar nga KQZ. Emërimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) do të përfundojë deri më 8 maj, ndërsa lista e qendrave të votimit do të publikohet më 5 maj.

Procesi zgjedhor parashikon hapa specifikë për shtetasit që jetojnë jashtë Kosovës, duke u dhënë mundësinë e shprehjes së vullnetit të tyre përmes dy formave. Votuesit jashtë vendit duhet të regjistrohen nga 6 deri më 17 maj dhe votimi me postë do të zgjasë nga 25 maji deri më 6 qershor.

Votimi fizik në konsullata dhe ambasada do të organizohet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.

Me miratimin e këtij plani, Kosova hyn zyrtarisht në një fazë intensive elektorale. Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor 2026.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme